Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani u përballën sërish të mërkurën me përshkallëzim të luftimeve, në shkëmbimin më të madh të zjarrit ndërmjet dy palëve në javët e fundit. Uashingtoni kërcënoi me sulme edhe më shkatërruese, ndërsa Teherani protestoi për një sulm që, sipas tij, vrau pesë civilë dhe plagosi dhjetëra të tjerë në një dasmë.
Komanda Qendrore e Ushtrisë amerikane tha se të martën kishte goditur sistemet e mbrojtjes ajrore të Gardës Revolucionare Islamike, radarët, asetet detare, kapacitetet për vendosjen e minave dhe qendrat e komunikimit, shkruan Reuters, transmeton klankosova.tv.
Mediat iraniane raportuan për goditje ndaj disa objektivave pranë Ngushticës së Hormuzit, rrugës së ngushtë ujore ku Teherani ka kërcënuar cisternat që përpiqen të kalojnë pa autorizim.
Irani tha se kishte goditur objektiva amerikane në Jordani dhe Irak, ndërsa mediat iraniane raportuan edhe për një sulm ndaj Bahreinit. Garda Revolucionare pretendoi se kishte vrarë një numër të madh ushtarësh amerikanë në Jordani, por dy zyrtarë amerikanë i thanë Reutersit se, sipas vlerësimeve fillestare, nuk kishte viktima.
Forcat e armatosura të Jordanisë thanë se sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore kishin reaguar ndaj 13 raketave balistike që kishin hyrë në hapësirën ajrore të vendit. Dhjetë prej tyre u rrëzuan, ndërsa tri të tjera ranë në zona të largëta. Bahreini, ndërkaq, tha se kishte interceptuar dhe shkatërruar dronë iranianë.
Garda Revolucionare tha gjithashtu se forcat e saj tokësore kishin kryer sulme të kombinuara me raketa dhe dronë ndaj bazave amerikane në Erbil, në veri të Irakut, duke pretenduar se kishin vrarë disa pjesëtarë të forcave amerikane. As Iraku dhe as SHBA-ja nuk e kanë konfirmuar këtë sulm.
Përplasja i dha fund një ngërçi disa mujor që kishte vazhduar që nga korriku, periudhë gjatë së cilës të dyja palët kryesisht kishin shmangur sulmet, por pa treguar gatishmëri për negociata.
Pavarësisht kësaj, rifillimi i luftimeve solli deklarata të reja sfiduese nga të dyja palët.
“Më pëlqen shumë më tepër pozicioni ynë tani, me kontroll pothuajse të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit dhe me ekonominë e tyre që po shkatërrohet tërësisht”, tha presidenti amerikan Donald Trump.
“Ata vetëm po e shtyjnë të pashmangshmen. Kur do të ngrihet populli iranian dhe të luftojë?”, shtoi ai.
Komanda e përbashkët ushtarake e Iranit reagoi duke paralajmëruar se çdo shtet që ndihmon “të keqen amerikane në rajon” do të përballet me përgjigje më të rënda, më të gjera dhe shkatërruese.
Ndërkohë, Uashingtoni ka kërcënuar se do ta godasë rëndë ekonominë iraniane përmes sanksioneve, ndërsa konflikti ka sjellë edhe pasoja ekonomike për SHBA-në, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të karburanteve para zgjedhjeve kongresionale të nëntorit.
Tregjet aziatike shënuan rënie të mërkurën, pasi sulmet e reja ajrore amerikane çuan çmimin e naftës në nivelin më të lartë në pesë javë.
Pesë të vrarë në një dasmë
Në një nga rastet potencialisht më të rënda të viktimave civile gjatë luftës, pesë persona u vranë dhe 50 të tjerë u plagosën në një dasmë pranë Sirikut, një zonë bregdetare pranë Ngushticës së Hormuzit, njoftoi Gjysmëhëna e Kuqe iraniane.
Agjencia Mehr raportoi se në mesin e të vrarëve ishte edhe një fëmijë 4-vjeçar, ndërsa agjencia IRNA, duke cituar një zyrtar provincial, tha se numri i të plagosurve kishte arritur në 68.
Zyrtarët amerikanë ende nuk kanë komentuar për këtë incident.
Pentagoni ende nuk ka publikuar një përfundim zyrtar për sulmin në Minab, por Reuters kishte raportuar më herët, duke cituar dy burime, se ai mund të ketë qenë rezultat i përdorimit nga SHBA-ja të të dhënave të vjetruara për përcaktimin e objektivit.
Veçmas, shtatë persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën gjatë sulmeve me raketa amerikane në tri lokacione në provincën Khuzestan të Iranit gjatë natës, raportuan mediat shtetërore iraniane.
Ministria e Jashtme e Iranit deklaroi se Teherani do t’u përgjigjet “me vendosmëri sulmeve”.
“Ato qeveri dhe institucione ndërkombëtare që heshtin përballë një barbarizmi të tillë, ose përpiqen të justifikojnë akte të tilla, duhet të kuptojnë se heshtja e tyre nuk është neutralitet. Ata që heshtin sot nuk do të jenë të imunizuar nga pasojat e saj nesër”, thuhet në reagimin iranian.