Pas takimit me Presidentin amerikan Joe Biden presidenti rus Vladimir Putin njoftoi se ata kishin rënë dakord në samitin e tyre në Gjenevë që ambasadorët e të dy vendeve do të riktheheshin respektivisht në Moskë dhe Uashington.
Ambasadorët ishin kthyer para disa muajsh në vendet e tyre për shkak të rritjes së tensioneve mes të dy vendeve. Rikthimi i ambasadorëve konsiderohet si shenja e parë e lehtësimit të tensioneve.
Tre muaj më parë Rusia e thirri ambasadorin e saj në Uashington Anatoli Antonov për konsultime në Moskë. Ky veprim erdhi pasi Biden iu përgjigj gjatë një interviste në muajin mars me po pyetjes, nëse ai e konsideronte Putinin si “vrasës”. Përveç kësaj qeveria amerikane vendosi sanksione të reja kundër Rusisë për shkak të një sulmi kibernetik si dhe për ndërhyrje në zgjedhjet në SHBA.
Moska i hodhi poshtë akuzat duke i quajtur masat ndëshkimore shkelje të ligjeve ndërkombëtare. Si përgjigje qeveria ruse vendosi gjithashtu sanksione dhe ndër masat e tjera dëboi nga vendi edhe disa diplomatë amerikanë. Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov i kërkoi gjithashtu edhe ambasadorit të SHBA, John Sullivan të largohej nga Moska. Sullivan u largua nga kryeqyteti rus në muajin prill.
Takimi i parë – shumë tema
Putini dhe Bideni u takuan në Villa La Grange, të ndërtuar në shekullin e 18-të. Takimi i parë i të dy krerëve të shtetit në vilën luksoze me pamje nga Liqeni i Gjenevës zgjati disa orë dhe përfshiu një gamë të tërë temash: nga çështjet e kontrollit të armëve bërthamore dhe të drejtat e njeriut deri te konfliktet rajonale në Afganistan, Siri dhe Libi.