Zëvendësja e ambasadorit në Kombet e Bashkuara, Cherith Norman Chalet, ka deklaruar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të përcjellin me kujdes zbatimin e marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, të cilën e kanë nënshkruar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Duke theksuar që bëhet fjalë për “ngjarje historike”, ajo ka thënë se Vuçiqi dhe Hoti kanë pasur vendosmëri dhe e kanë bërë “një hap ka e ardhmja e ndritshme”.
“Marrëveshja paraqet bazën për përparim në kohën që po vjen. Normalizimi i plotë është qëllim i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe SHBA-së. Do të vazhdojmë që ta mbështesim fuqishëm dialogun nën ombrellën e Bashkimit Evropian”, theksoi Cherith Norman Chalet.
Ajo shtoi që SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj shtetit të së drejtës dhe drejtësisë për të gjitha viktimat e konfliktit.
Ajo gjithashtu tha se është koha që të zvogëlohet roli i OKB-së në Kosovë dhe se SHBA-ja e mbështet hartimin e planit për tranzicion të UNMIK-ut dhe në zvogëlimin e përgjegjshëm të rolit të misionit të OKB-së./