ShBA-ja “do të tërheqë 7,000 trupa” nga Afganistani

Prishtinë | 21 Dhj 2018 | 13:35 | Nga Ekonomia Online

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump është duke planifikuar tërheqjen e mijëra trupave nga Afganistani, kanë raportuar mediat amerikane.

Në disa raportime, duke u cituar zyrtarë anonimë është thënë se rreth 7000 trupa, apo më shumë se gjysma e prezencës ushtarake amerikane në këtë shtet, do të kthehen në shtëpi brenda disa muajve.

Këto raportime kanë ardhur vetëm një ditë pasi presidenti Trump ka njoftuar për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria.

Një ditë më parë, përkatësisht të enjten Jim Mattis ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes.

Raportimet për zvogëlim të konsiderueshëm të numrit të trupave kanë qarkulluar edhe të enjten, mirëpo ato nuk janë konfirmuar nga zyrtarët amerikanë për Mbrojtje.

Analistët kanë paralajmëruar se një tërheqje e tillë mund të ketë ndikim “shkatërrues” dhe mund t’iu krijojë talibanëve idenë e fitores propaganduese.

Talibanët, që janë pjesë e lëvizjes së ashpër islamiste kanë kryer sulme të shumta vetëvrasëse dhe sulme tjera kundër qeverisë dhe shënjestrave tjera në Afganistan.

Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar 1 trilion dollarë në Afganistan prej kur koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja ka rrëzuar talibanët nga pushteti më 2001.

Kjo njëherësh njihet edhe si lufta më e gjatë e Amerikës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme