ShBA-ja e Irani u kthehen bisedimeve bërthamore në Vjenë

| 06 Pri 2021 | 11:59 | Nga

Shtetet e Bashkuara dhe Irani të martën do të zhvillojnë bisedime indirekte në Vjenë të Austrisë me qëllim të kthimit të të dyja vendeve në zbatim të plotë të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, nga e cila Uashingtoni u tërhoq tre vjet më parë.

Irani vazhdimisht i ka shkelur pikat e marrëveshjes bërthamore rreth kufirit të pasurimit të uraniumit si kundërpërgjigje ndaj tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga pakti ndërkombëtar në vitin 2018 dhe rivendosjes së sanksioneve që e kanë dëmtuar rëndë ekonominë e Republikës Islamike.

Teherani vazhdimisht ka mohuar se do të përfshihet në bisedime me ShBA-në rreth programit të vet bërthamor, ndërsa Ushingtoni tha të hënën se pret që bisedimet indirekte të jenë të vështira. Të dyja palët kanë deklaruar se nuk presin marrëveshje të shpejtë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

“Ajo që bëjnë palët tjera të marrëveshjes është punë për to. Ku dhe si bisedojnë ato me Shtetet e Bashkuara varet nga to. Delegacioni iranian nuk do të ketë asnjë bisedim me delegacionin amerikan në Vjenë në asnjë nivel”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Saeed Khatibzadeh.

Administrata e presidentit të ri amerikan, Joe Biden, dëshiron ta ringjallë marrëveshjen bërthamore, por ka thënë se kjo kërkon negociata. Teherani ka refuzuar ndonjë përfshirje në bisedime me Uashingtonin, duke këmbëngulur që ShBA-ja duhet që së pari t’i largojë të gjitha sanksionet ndaj Iranit.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015, sanksionet amerikane dhe sanksionet tjera ekonomike ndaj Teheranit ishin larguar në këmbim të kufizimit të programit bërthamor për ta vështirësuar zhvillimin e armëve bërthamore, ndonëse Irani ka mohuar se ka qëllim të tillë.

Të ngjashme