Ambasada e ShBA-së në Kosovë ka shprehur shqetësim për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në një përgjigje për Ekonomia Online, nga kjo ambasadë kanë thënë se janë thellësisht të shqetësuar nga veprimet e disa anëtarëve të KQZ-së që kanë refuzuar certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe.
Përfaqësuesi i ambasadës theksoi se veprimet e KQZ-së duhet të kufizohen në zbatimin e standardeve dhe procedurave ligjore, ndërsa çdo vendim për moskualifikimin e kandidatëve duhet të bazohet vetëm në një trajtim të barabartë të ligjit.
Ambasada ka kërkuar që procesi zgjedhor të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike.
“Jemi thellësisht të shqetësuar me veprimet e disa anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të mos certifikuar kandidatët e Listës Srpska. Veprimet e KQZ-së rreptësisht duhet të kufizohen në zbatimin e standaredeve dhe procedurave ligjore dhe çdo vendim për moskualifikimin e kandidatëve duhet të bazohet vetëm në zbatim të barabartë të ligjit. Procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike”.
“Ne jemi të shqetësuar nga përfshirja e hapur e kritereve të motivuara politikisht në procesin e certifikimit të kandidatëve në KQZ. Veprime të tilla dëmtojnë parimet themelore demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, meqenëse ia çelin derën ndikimit subjektiv politik mbi procesin zgjedhor”.
Ambasada e SHBA-së theksoi gjithashtu se roli i KQZ-së është ta mbikëqyrë zhvillimin e zgjedhjeve dhe të sigurojë që ligji të zbatohet në mënyrë të drejtë dhe të paanshme.
Ajo shtoi se përgjegjësitë e KQZ-së duhet të mbeten të kufizuara në procedurat ligjore dhe jo në shqyrtimet politike.
“KQZ-ja luan rol të rëndësishëm në mbikëqyrjen e zhvillimit të zgjedhjeve dhe për të siguruar që ligji zbatohet në mënyrë të drejtë dhe të paanshme. Përgjegjësitë e tij duhet të mbesin rreptësisht vetëm në procedurat ligjore, e jo në shqyrtimet politike”.
“Iu bëjmë thirrje të gjitha palëve që kanë probleme me proceset e KQZ-së që të shfrytëzojë mekanizmat institucionalë në fuqi, përkatësisht Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP)”.
“Të gjithë kandidatët që kualifikohen duhet të lejohen të garojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me ligjin kosovar. Është thelbësore që votuesit e jo organet politike, të vendosin se kush i përfaqëson ata”.
Në mbledhjen e të hënës, KQZ-ja vendosi të mos certifikojë Listën Serbe, pas thirrjeve nacionaliste të kryetarit të Listës Serbe në Kosovë, Zllatan Ellek, të bëra gjatë prezantimit të listës zgjedhore.