Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) po tentojnë që përmes marrëveshjeve ekonomike të zbusë raportet Kosovë-Serbi.
Edhe takimi ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Washington, që do të zhvillohet me 4 shtator, ka këtë synim tha në një intervistë për Ekonomia Online profesor i të Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti.
Sipas tij, përfundimi i një marrëveshje politike do të ketë karakter obligativ dhe në thelb të saj do të jetë njohja reciproke.
“Takimi i 4 shtatorit do të karakerizohet me përpjekjet për të arritur marrëveshje ndërmjet palëve Kosovës dhe Serbisë, por që kjo marrëveshje do të ketë natyrë ekonomike. Sido që të jetë është fakti që amerikanët kanë provuar dhe po provojnë që të ndjekin një diskurs që nëpërmjet mjeteve ekonomike eventualisht të zbusin raportet në mes të palëve në mënyrë që pas marrëveshjeve ekonomike të shkohet te ajo që tashmë po e pret pala Kosovare. Përfundimi dhe nënshkrimi i një marrëveshje politike që do të ketë karakter obligativ dhe që në thelb të saj do të jetë njohja reciproke”.
Hoti ka shtuar se presidenti i Amerikës Donald Trump është duke e përshpejtuar procesin sa i përket marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë para zgjedhjeve që do të mbahen në ShBA.
“Presidenti Trump paraqet vazhdimësi të interesimit amerikan për Kosovën. Mbi këtë bazë edhe administrata aktuale ka ndjekur trendin e mbështetjes për Republikën e Kosovës dhe mbi këtë bazë presidenti Trump nuk bënë përjashtim dhe në kontekstin e rrethanave të reja kur ShBA-ja gjenden para zgjedhjeve është e kuptueshme që të shënohen përpjekje më të shtuara e amerikanëve për ta shënuar përfundimin e këtij procesi sepse kjo do të llogaritet si një sukses për zgjedhjet amerikane që do të mbahen në fund të vitit dhe për të arritur këtë synim amerikanët kanë shtuar dinamikën dhe kanë shtuar aktivitetet e tyre kundrejt palëve”.
Profesori Hoti theksoi se Washingtoni dhe Brukseli po synojnë normalizimin e raporteve ndërmjet palëve dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse ka një nënshkrim të një marrëveshje përfundimtare.
Hoti potencoi se Serbia dhe Kosova për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, është e domosdoshme prania e amerikanëve në këtë proces.
“Edhe Brukseli edhe Washingtoni nuk kanë dilemë që kanë veprimet e tyre të koordinuara sepse edhe procesi i Washingtonit dhe Brukselit synojnë ato që njihen si normalizim i raporteve dhe ky normalizim mund të arrihet vetëm nëse kemi një nënshkrim të një marrëveshje përfundimtare”.
“Nëse Brukseli dhe Washingtoni e kanë në fund të tunelit objektivin që të kemi nënshkrimin e kësaj marrëveshje atëherë po flasim për dy anë të së njëjtës medalje. Serbia dhe Kosova synojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian prandaj nuk do të kenë komoditetin që t’i shmangen takimeve të Brukselit sikundër që për shkak të pozicionit amerikan kundrejt palës kosovare mendoj që përfshirja amerikane është më shumë sesa e domosdoshme dhe unë nuk mund të imagjinoj situatën kur ne do të kishim një marrëveshje pa përfshirjen e amerikanëve”.
Liderët e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë në Washington, me ftesën që u ka bërë këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brein.
Ky takim fillimisht ishte planifikuar të mbahej më 2 shtator. Por, ai është shtyrë për dy ditë më vonë.
Kurse më 7 shtator, në Bruksel pritet të takohen delegacionet e të dyja vendeve, të përfaqësuara në nivelin më të lartë politik, nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.