Shtetet e Bashkuara janë pajtuar me idenë për të marrë pjesë në bisedimet mes Iranit dhe fuqive botërore me qëllim të rikthimit në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
Sipas marrëveshjes së vitit 2015, Irani u zotua se do ta kufizojë programit e vet bërthamor në këmbim të largimit të sanksioneve ekonomike, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e tërhoqi vendin e tij nga marrëveshja më 2018, duke bërë që Irani të shkelte disa pika të marrëveshjes dhe ta vazhdonte pasurimin e uraniumit.
Administrata e re amerikane e ka shprehur qëllimin për t’u kthyer në këtë marrëveshje, pas fitores së demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha se Shtetet e Bashkuara do të pranoni një ftesë nga Bashkimi Evropian për t’u takuar me Iranin në bisedime.
Diplomati i lartë i Bashkimit Evropian, Enrique Mora, shkroi në rrjetet sociale se ai është i gatshëm t’i ftojë të gjitha palët për bisedime, duke thënë se ky është një moment kritik për marrëveshjen. Ndërkohë Irani ende nuk ka reaguar zyrtarisht për këtë propozim.
Megjithatë, ministri iranian i Punëve të Jashtme, Mohammad Zarif, la të kuptohet se vendi i tij do t’i zbatojë pikat e marrëveshjes plotësisht vetëm kur Shtetet e Bashkuara t’ia largojnë sanksionet.