Zyrtarët e lartë të administratës amerikane i thanë Kongresit se përgjigjja e Uashingtonit ndaj kërcënimeve të supozuara iraniane shmangu sulmet ndaj forcave amerikane.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe sekretari i Mbrojtjes në detyrë, Patrick Shanahan, thanë se objektivi i tyre gjatë ditëve të fundit ka qenë të dekurajojnë Iranin.
Tani administrata e presidentit amerikan Donald Trump kërkon të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm, tha Shanahan.
“Kjo ka të bëjë me parandalimin, jo me luftën, nuk kemi për të shkuar në luftë”, u tha ai gazetarëve.
“Fokusi ynë më i madh në këtë pikë është parandalimi i gabimeve të Iranit. Ne nuk duam që situata të përshkallëzohet”, tha ai, shkruan REL.
Marrëdhëniet midis Teheranit dhe Uashingtonit janë përshkallëzuar që nga viti i kaluar kur Presidenti i SHBA, Donald Trump e tërhoqi Uashingtonin nga një marrëveshje e rëndësishme mes Iranit dhe fuqive botërore, e cila frenoi programin bërthamor të Teheranit në këmbim të lehtësimit nga sanksionet ekonomike.
Që atëherë, Uashingtoni ka rritur retorikën e ndaj Teheranit si dhe ka rivendosur sanksione.
Ekzistojnë shqetësime në rritje për një konflikt të mundshëm ushtarak ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat këtë muaj e përforcuan praninë ushtarake në Lindjen e Mesme dhe Gjirin Persik, duke thënë se ekzistojnë “kërcënime “ nga Irani.
Teherani ka hedhur poshtë akuzat e SHBA-së. Të dyja palët kanë thënë se nuk duan luftë.
Situata në Iran u diskutua përmes telefonit nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidenti rus Vladimir Putin, njoftoi zyra e Merkelit përmes një deklarate më 21 maj.
Rusia, Franca dhe Gjermania, së bashku me Britaninë dhe Kinën janë pjesë e marrëveshjes së vitit 2015 me Iranin.
Deklarata tha se tre udhëheqësit “nënvizuan nevojën për të bindur Iranin të mbetet në marrëveshjen bërthamore”.
Presidenti iranian Hassan Rohani më 21 maj se “Shtëpia e Bardhë nuk mund ta mposhtë kombin iranian”.
Duke iu referuar sanksioneve të vendosura kohët e fundit të Shteteve të Bashkuara, Rohani tha se “në fund të rrugës, fitorja është e Iranit”.
Presidenti iranian tha se ai favorizoi bisedimet dhe diplomacinë për të tejkaluar tensionet me Uashingtonin, por jo nën kushtet aktuale.
Presidenti amerikan Donald Trump më 20 maj tha se Irani do të përballet me një “forcë të madhe” nëse do të përpiqej kundër interesave të SHBA në Lindjen e Mesme. Ai tha se një luftë e mundshme mes dy vendeve do të shënonte “fundin zyrtar” të Iranit.
Trump tha gjithashtu se nëse Teherani dëshiron të negociojë, do të duhet të marrë hapin e parë.