Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, pritet t’i njoftojë pesë shtete, duke përfshirë aleatët si Japoninë, Korenë Jugore dhe Turqinë, se më nuk do të jenë përjashtim i sanksioneve amerikane nëse vazhdojnë të importojnë naftë nga Irani, ka raportuar agjencia e lajmeve, Associated Press.
Bazuar në tri burime amerikane të paidentifikuara, agjencia ka thënë se Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, planifikon të njoftojë më 22 prill se presidenti nuk do të vazhdojë masat lehtësuese, të cilat përfundojnë më 2 maj, për pesë shtetet, duke përfshirë Kinën dhe Indinë.
Pompeo ka thënë më 10 prill se presidenti Trump do të vazhdojë të rrisë presionin ndaj Iranit “në mënyrë që liderët ta ndryshojnë qasjen”.
Eksportet e naftës janë burim i rëndësishëm i të hyrave për Teheranin, ekonomia e të cilit është goditur rëndë pas rikthimit të sanksioneve amerikane.
Sipas AP-së, ende nuk është bërë e ditur nëse këtyre pesë shteteve do t’iu vazhdohen masat lehtësuese apo do të jenë subjekt i sanksioneve amerikane më 3 maj, nëse nuk ndalin menjëherë blerjen e naftës.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka krijuar një qasje të ashpër ndaj Iranit, prej kur është tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore.
Përveç rikthimit të të gjitha sanksioneve ndaj këtij shteti, Trump ka bërë të ditur më 8 prill se do të shpallë Gardën Revolucionare të Iranit, si organizatë terroriste.
Ky hap është konsideruar i pashembullt, meqë asnjëherë më parë një ushtri kombëtare e një shteti, nuk është futur në listën e zezë amerikane.