Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar ministrin e Jashtëm iranian, Mohammed Javad Zarif, duke i ngrirë të gjitha asetet e tij në Shtetet e Bashkuara apo ato që kontrollohen nga subjekte amerikane, ka njoftuar Departamenti amerikan i Thesarit.
Ky Departament ka njoftuar edhe për rritje të kufizimeve ndaj programit bërthamor të Iranit.
“Zarif zbaton agjendën e pamatur të liderit suprem të Iranit dhe është zëdhënësi kryesor i regjimit në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara janë duke dërguar një mesazh të qartë për regjimin iranian se qasja e fundit është plotësisht e papranueshme”, ka thënë Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin përmes një deklarate.
Zarif ka qenë në qendër të përpjekjeve të Iranit për të ulur tensionet me Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera lidhur me industrinë bërthamore të këtij shteti, e të cilën Uashingtoni beson se Teherani e shfrytëzon për program sekret të armëve.
Përveç ngrirjes së aseteve, Uashingtoni edhe do të t’i kufizojë Zarifit aftësinë për të udhëtuar. Megjithatë, atij pritet që t’i mundësohet vizita në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, nën siguri të lartë.
Pas këtij njoftimi, Zarif ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter se Shtetet e Bashkuara e kanë sanksionuar atë sepse është rrezik për agjendën amerikane.
Ai ka thënë se sanksionet “nuk kanë ndikim” në të apo familjen e tij pasi ai nuk ka prona jashtë Iranit.
Tensionet në mes të këtyre dy shteteve janë rritur pasi Shtetet e Bashkuara janë tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.
Sipas marrëveshjes, Teherani lirohet nga sanksionet ndërkombëtare, në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor.
Megjithatë, presidenti amerikan, Donald Trump ka rikthyer të gjitha sanksionet ndaj Iranit, duke i goditur sektorin bankar dhe atë të naftës.