ShBA-ja tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit për Klimën

Prishtinë | 01 Qer 2017 | 23:39 | Nga

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se SHBA do të tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit për Klimën.

Trump tha se ai “brengoset thellësisht për mjedisin”, porse “nuk mund të mbështesë një marrëveshje që ndëshkon SHBA-në”.

Ai tha se do të nisë negociatat “për të rihyrë në Marrëveshjen e Parisit, ose në një marrëveshje krejtësisht të re”.

Liderët evropianë kanë lobuar fuqishëm për të bindur Trumpin që të mos tërhiqet, por Trump ka thënë se anëtarë të Partisë së tij Republikane, si dhe industritë e qymyrit e naftës i kanë bërë presion të tërhiqet.

Marrëveshja e Parisit për Klimën, e nënshkruar në vitin 2015 nga 195 vende, është pakti i parë ligjor për luftimin e ndryshimeve klimatike.

Me të, pothuajse çdo vend është pajtuar vullnetarisht të reduktojë emetimet e gazrave serë.

Gazrat serë kryesisht gjenerojnë nga termocentralet dhe makinat që djegin vajin, qymyrin dhe gazin natyror.

Shkencëtarët besojnë se akumulimi i këtyre gazrave në atmosferë e ngroh planetin.

Shtetet e Bashkuara, nën ish-presidentin Barack Obama, janë zotuar se do t’i reduktojnë emetimet deri në 28 përqind, deri në vitin 2025.

Tërheqja nga marrëveshja e SHBA-së, që është emetuesja më e madhe e gazrave pas Kinës, pritet të ketë implikime të gjera.

Por, Trump ka premtuar gjatë fushatës zgjedhore se do të tërhiqet nga marrëveshja, duke thënë se ajo do t’i kushtojë ekonomisë amerikane triliona dollarë, ndërsa, në këmbim, “nuk do të ketë asnjë përfitim të prekshëm”.

Trump po ashtu ka shprehur dyshime rreth ndryshimit të klimës, duke thënë shpesh se kjo është shaka, me qëllim dobësimin e industrisë amerikane.

Megjithatë, 2016-ta ka qenë viti më i nxehtë prejse kanë nisur matjet në shekullin 19.

Në Berlin, kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila i ka bërë presion Trumpit javën e kaluar që të mbetet në Marrëveshjen e Parisit për Klimën, tha të enjten se marrëveshja është thelbësore.

Merkel takoi kryeministrin e Kinës, Li Keqiang, dhe të dy u zotuan se do të vazhdojnë të luftojnë kundër ndryshimeve klimatike.

Kina dhe Bashkimi Evropian do të përpiqen të premten të ruajnë Marrëveshjen e Parisit, thanë zyrtarët, duke paralajmëruar një takim të kryeministrit kinez me autoritetet evropiane në Bruksel.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme