Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Nikki Haley, i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të ndjekë shembullin e SHBA-së dhe të adresojë, siç tha ajo, “sjelljen shkatërruese të Iranit” në Lindjen e Mesme.
“Irani duhet të gjykohet për sjellje agresive, destabilizuese dhe të paligjshme. Të veprosh ndryshe do të ishte qesharake”, tha Haley.
Sipas saj, Irani furnizon ilegalisht grupet e milicive në Jemen, Siri dhe Liban.
Haley tha se Irani kërcënon lirinë e lundrimit në Gjirin Persik, burgos gazetarë dhe të huaj, persekuton disa fe dhe arreston homoseksualë.
Zëvendësambasadori i Iranit në OKB, Gholamali Khoshroo, tha se nuk do të humbasë kohë për t’iu përgjigjur “deklaratave të një natyre brutale” të zyrtarëve amerikanë.
Britania ka qenë anëtarja e vetme e Këshillit të Sigurimit që ka mbështetur hapur thirrjen e SHBA-së për veprime më të gjera kundër Iranit.