Partia Demokratike në Shtetet e Bashkuara pritet të nisë Konventën Kombëtare, ndonëse pjesën më të madhe në versionin online, që do të kulmojë me nominimin zyrtar të Joe Bidenit si kandidat për të garuar kundër presidentit amerikan, Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.
Konventa Kombëtare Demokratike, që zgjat katër ditë, ishte planifikuar të niste në Milluaki, Viskonsin, mirëpo pandemia me koronavirus ka shtyrë përpara planet për organizime online.
Fjalime nga Biden, e përzgjedhura e tij për pozitën e nënpresidentes, Kamala Harris dhe personalitete tjera të larta në mesin e demokratëve, pritet të transmetohen përgjatë këtyre ditëve.
Nata e parë do të nisë me fjalimet e senatorit Bernie Sanders dhe ish-Zonjës së Parë, Michelle Obama.
Harris, 55-vjeçare pritet të bëjë histori si gruaje e parë aziatiko-amerikane që garon për pozitën e nën-presidentes amerikane.
Nominimi zyrtar i Bidenit pritet të bëhet më 20 gusht.
Biden, që ka qenë edhe ish-nënpresident amerikan, 77-vjeçar, do t’i drejtohet kombit nga shtëpia e tij në Delauer, për të folur rreth “vizionit të tij për të bashkuar Amerikën në rrugën jashtë kaosit dhe krizës së vazhdueshme”, ka thënë Partia Demokratike.
Në mesin e pjesëmarrësve në këtë Konventë janë edhe ish-presidentët, Barack Obama dhe Bill Clinton si dhe do të ketë edhe performanca të artistëve si Billie Eilish dhe John Legend.
Republikanët në anën tjetër do të organizojnë konventën e tyre më 24-27 gusht për ta nominuar Trumpin për një mandat të dytë.