Departamenti Amerikan i Shtetit ka rikonfirmuar mbështetjen për të drejtat e tibetianëve dhe ruajtjen e kulturës, gjuhës dhe fesë së tyre, pasi një aktivist tibetian humbi jetën duke i vënë flakën vetes pranë selisë së OKB-së në Nju Jork.
Sipas aktivistëve tibetianë, viktima ishte Lobga Rangzen, i cili kreu aktin në shenjë proteste kundër sundimit kinez në Tibet dhe bëri thirrje për pavarësi dhe unitet të tibetianëve.
Në reagimin e saj, SHBA i kërkoi sërish Kinës të rikthehet në dialog pa kushte me Dalai Lamën dhe përfaqësuesit tibetianë, me synimin për arritjen e një autonomie kuptimplote për Tibetin, raporton Reuters.
Nga ana tjetër, Kina përsëriti se Tibeti është pjesë e pandashme e territorit të saj dhe akuzoi vendet e tjera për ndërhyrje në çështjet e brendshme. Pekini e konsideron Dalai Lamën separatist dhe këmbëngul se ka të drejtën të miratojë pasardhësin e tij.
Sipas organizatës International Campaign for Tibet, që nga viti 2009 janë regjistruar 159 raste vetëflijimi nga tibetianët në shenjë proteste kundër politikave të Kinës.