Kjo është një luftë e re brenda luftës. Në brendësi të konfliktit që zgjat prej gjashtë vjetësh në Siri, është zhvilluar një tjetër që sheh të kundërvëna Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, për të vendosur se kush do të marrë kontrollin e territoreve që Shteti Islamik është duke i humbur. Por le të fillojmë nga faktet.
Të dielën, në 18 qershor, aviacioni amerikan ka rrëzuar një avion luftarak sirian. Kjo është një ngjarje e paprecedentë. Damasku ka protestuar fuqishëm, por komandanti amerikan i koalicionit ndërkombëtar, i organizuar për të luftuar Shtetin Islamik, i ka mohuar akuzat.
Sipas ShBA nuk ka asnjë arsye për të kërkuar falje, për shkak se aviacioni i Bashar al Asadit kërcënonte trupat arabo-kurde të Forcave Demokratike siriane, që Uashingtoni i armatos dhe mbështet, në sulmin e nisur më 6 qershor në Raqqa, kryeqendra siriane e ISIS.
Aleatët e Damaskut reaguan menjëherë. Irani bëri një demonstrim force, duke lëshuar nga territori i tij, disa raketa kundër një zone në veri të Sirisë, që është ende në duart e ISIS. Rusët kanë bërë të ditur të hënën se duan të “mbyllin kanalet e komunikimit” që janë hapur me ShBA në Siri, për të shmangur incidentet mes aviacionit amerikan dhe atij rus, të dy aktivë në Siri (i pari kundër ISIS, i dyti në mbështetje të ushtrisë së Assadit).
Një fakt edhe më i rëndë, është ai që Rusia ka drejtuar raketat kundër avionëve të koalicionit, duke u kërkuar të mos godasin më avionët e Damaskut, raporton bota.al.
Po përse rusët reaguan në mënyrë kaq të fortë? Arsyet janë dy. E para është që, në lojë është kredibiliteti i tyre, sepse janë mbrojtës të Assadit. E dyta, më konkrete, është që amerikanët dhe koalicioni ndërkombëtar janë duke e mposhtur ISIS-in.
Dy rreshtime
Mosuli, kryeqendra irakiane e kalifatit, i reziston rrethimit vetëm sepse xhihadistët përdorin si mburoja njerëzore, banorët e qytetit të vjetër. Raqqa, qyteti sirian nga i cili organizon sulmet që mbështetësit e tij vënë në zbatim në të gjithë botën, tani është nën rrethim. Po humbet terren dhe për këtë arsye po shpërthen një garë midis dy blloqeve të mëdha, se kush do të marrë atë që është sot territori i xhihadistëve.
Nga njëra anë janë Irani, fuqia më e madhe shiite në Lindjen e Mesme; regjimi shiit sirian që po fiton një avantazh kundër rebelëve dhe tani po sulmon, ISIS-in; dhe në fund Rusia, e cila mbështet shiitët në rajon. Nga ana tjetër janë ShBA, që nuk duan të shohin Iranin të zërë vendin e ISIS, për shkak se Donald Trump ka ripërtërirë aleancën me shtetet sunite dhe në veçanti me monarkitë e Gjirit, që janë kundër Teheranit.
Nëpërmjet proteges e tyre, amerikanët dhe rusët konkurrojnë për ndikim në rajon, dhe lufta në Siri merr një dimension të ri dhe shqetësuese.
Përmes palëve që kanë marrë në mbrojtje, amerikanët dhe rusët po konkurrojnë për influencë në rajon, dhe lufta në Siri ka marrë një dimension të ri, shumë shqetësues.