Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Nikki Haley, edhe një herë e rikonfirmoi mbështetjen e shtetit të saj për Kosovën.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, Haley tha se Kosova ka përparuar mjaft që nga shpallja e pavarësisë, ndërsa i bëri thirrje Beogradit të përmirësojë marrëdhëniet me Prishtinën.
“Ne e përkrahim fuqishëm Kosovën në anëtarësimin në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, deklaroi Haley.
Në mbledhje ishte e pranishme ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e cila gjatë fjalës së saj tha se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë do të ndodhë vetëm kur Beogradi të njohë pavarësinë e Kosovës. Kjo e fundit, theksoi Çitaku, është e pakthyeshme.
Në krahun tjetër të llogores diplomatike, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, shfrytëzoi fjalën e tij në Këshill për të kritikuar Kosovën që nuk po përmbush detyrimet e Marrëveshjes së Brukselit.