ShBA-të mbështesin “Open Ballkan”: Esencial për tërheqjen e investimeve

Prishtinë | 13 Gus 2021 | 10:42 | Nga Ekonomia Online

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), ka konfirmuar për Zërin e Amerikës (VOA) mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj përpjekjeve të Ballkanit Perëndimor për të thelluar dhe forcuar integrimin “gjithëpërfshirës” rajonal.

Kjo, në bazë të rregullave dhe standardeve të Bashkimit Evropian (BE), deklaroi ai për VOA-n.

Sipas zyrtarit amerikan – lidhur me angazhimin ‘vetëm’ të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në nismën e një ‘Ballkani të Hapur’ – udhëheqësit e tjerë të rajonit duhet “të përpiqen që të gjejnë mundësi për reduktimin e pengesave tregtare, rritjen e konkurrencës ekonomike dhe ndërtimin e ekonomive të integruara, dinamike në shërbim të qytetarëve të tyre”.

Deklarata e zëdhënësit thekson rëndësinë esenciale “të tërheqjes së investimeve dhe rritjes ekonomike” në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal. Ky i fundit do të garantojë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.

“Ballkani Perëndimor është një rajon me potencial shumë të madh të pashfrytëzuar, që shfaqet edhe tek vizioni dhe përpjekjet e popujve të tij për të krijuar një rajon të begatë e të suksesshëm, të integruar plotësisht në Bashkimin Evropian”, ravijëzohet në deklaratën e DASH-it për VOA-n.

Të ngjashme