Vetëm pak ditë më parë, Driton Gashi, ishte nën akuzë nga prokuroria Themelore e Prishtinës për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ngjarjet për të, këto ditë ecën aq shpejt sa brenda pak ditësh, ai u lirua nga akuza dhe u ngjit në pozitën e kryespiunit të vendit.
Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeministri Mustafa shpallën sot emërimin e Driton Gashit në postin vakant të drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Ai u emërua në këtë pozitë pas dorëheqjes së mistershme të Agron Selimajt, dy javë më parë. Por katër ditë më parë, më 3 shkurt, Gjykata Themelore e Prishtinës ka hedhur aktakuzën ndaj tij të ngritur më 30 maj 2016.
Aktakuza e rëndonte sekretarin e derisotëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në aktvendimin e siguruar nga KALLXO.com shihet se deri te hedhja e aktakuzës ka ardhur për shkak se prokurori I Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Feti Tunuzliu është tërhequr nga aktakuza.
“Më datë 1 shkurt 2017 prokurori i çështjes përmes parashtresës i është drejtuar gjykatës me të cilën ka hequr dorë nga aktakuza ndaj Driton Gashit me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme për ta mbështetur dyshimin e bazuar se i pandehuri e ka kryer veprën që i vihet në barrë”, thuhet në aktvendim.
Deri tek tërheqja e prokurorit, është mbajtur vetëm një seancë dhe atë shqyrtimit fillestar më datë 18 janar 2017, ku është lexuar aktakuza ndërsa Driton Gashi është deklaruar i pafajshëm.
Aktakuza e përpiluar nga prokurori Tunuzliu e ngarkonte Driton Gashin se në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të MPB-së, më 9 shtator 2013 paraprakisht ka marrë vendimin për zbatimin e Aktvendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës të 2 gushtit 2013 duke konstatuar që Luan Ismajli të kthehet në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit për Sigurimin e Aviacionit në departamentin për Siguri Publike të MPB-së, pasi paraprakisht ishte larguar nga ajo pozitë.
Në aktakuzë thuhej që vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit, pra më 9 shtator 2013. Pas këtij vendimi po të njëjtën ditë, sipas aktakuzës, Gashi e kishte sjellë edhe vendimin që Luan Ismajli të emërohet në këtë pozitë e pastaj më 4 tetor 2013 e kishte ndryshuar këtë akt emërim me një akt emërim të veçantë formal duke e transferuar Luan Ismajlin nga kjo pozitë në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit për Regjistrim Civil të MPB-së prej 7 tetor 2013 për nevoja të institucionit.
Sipas aktakuzës, ky Gashi kishte dalë jashtë përgjegjësive taksative të parashikuara me dispozitat e Ligjit për Administratën Shtetërore të Kosovës.
Prokuroria pretendonte se ky transfer ishte ndaluar sipas rregullores për transferimin e nëpunësve civilë ngase nuk ka qenë i përshtatshëm për kushtet dhe benificionet e pozitë së të dëmtuarit por ka qenë pozitë më e disfavorshme se pozita paraprake dhe ka ndikuar negativisht në zhvillimin e karrierës së tij.