Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se Kosova nuk mund të zhvillohet ekonomikisht përderisa nuk i përfshinë gratë në tregun e punës, raporton Ekonomia Online.
Këto komente ai i bëri gjatë një vizite në kompaninë “Shpati AM”, e cila bën prodhimin e tubave fleksibil “Viola” në Gjakovë.
Szunyog shtoi se ishte i kënaqur me implementimin e fondeve të BE-së nga kjo kompani.
“Është nder dhe një mënyrë e mirë për të filluar javën këtu në Gjakovë, pasi arrita të shohë suksesin e kësaj kompanie, dhe mund të them se kanë shkëlqyer me ndihmën e BE-së. Kemi përkrahur këtë kompani në vitin 2018-2019. Jam i kënaqur që kjo ndihmë që ishte relativisht e vogël ka sjell rezultatet që ne i prisnim. Është me të vërtetë impresive të shohësh kësi lloj arritje në një kohë të shkurtë”.
“Në diskutuam për të ardhmen e kompanisë, kanë disa projekte të reja dhe mundësi për eksport në rajon, ndoshta me vonë edhe në shtetet e BE-së. Jam optimist se kjo kompani do të vazhdojë të jetë e suksesshme ne një treg që ka konkurrueshmëri të madhe”.
Tutje, ai tha se kjo kompani e cila udhëhiqet nga dy gra sipërmarrëse, ka arritur suksese të mëdha, ku produktet e tyre kanë arritur të eksportohen edhe jashtë Kosovës.
“Një arsyeje që vendosëm ta vizitojmë këtë kompani, është po ashtu se kjo kompani udhëhiqet nga gratë. Unë jam i lumtur se po takoj dy nga sipërmarrëset, pasi fatkeqësisht kjo vazhdon të jetë një stagnim për zhvillimin e Kosovës. Vetëm më pak se 20 për qind e grave janë pjesë e tregut të punës. Jam shumë i lumtur të shohë gratë sipërmarrëse në Kosovë që janë duke pasur sukses, dhe besoj se kjo mund të jetë një shembull për të tjerët, mund të ketë sfida por do t’ia dalin. Unë besoj se Kosova nuk mund të zhvillohet, duke i injoruar gratë në tregun e punës”.
“Besoj që duhet të krijohen kushte me të mira në përgjithësi për punëtorët, dhe mendoj që duhet t’ia fillojmë nga edukimi. Po ashtu duhet implementohet Ligji i Punës në koordinim me legjislacionin e BE-së. Pra, ka shumë sfida për Qeverinë e Kosovës, mirëpo kur shoh kompani kaq profesionale, jam optimist se gjërat do të ndryshojnë”.
Ndërsa, Rreze Mejzini-Boshnjaku, drejtoresh në kompaninë “Shpati AM”, tha se me ambasadorin diskutuan për sfidat e grave sipërmarrëse, raporton EO.
“Për ne ishte kënaqësi kjo vizitë e ambasadorit. Me ambasadorin diskutuam për sfidat e grave sipërmarrëse në biznes, për planet e reja dhe për objektivat në te ardhmen. Shpresojmë për vazhdim të bashkëpunimit dhe për hapjen e tregjeve të reja”.
Vizita është pjesë e fushatës “Për ju. Me ju”, fushatë e cila synon të informojë qytetarët mbi mbështetjen që BE jep me projektet të ndryshme në të gjithë sektorët.