Arritja e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë ku përfshihen të gjitha çështjet e hapura është kusht për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian, ka thënë shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
“Kosova dhe Serbia kanë treguar përkushtim për integrim në BE dhe qëllimi strategjik është anëtarësimi në BE. Natyrisht vazhdimi i përkushtimit në dialog dhe arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve e cila do t’i zgjidhte të gjitha çështjet e hapura, është një kusht. Është e rëndësishme që të vazhdohet me zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, nga të dyja palët”, ka thënë Szunyog gjatë një video-konference me gazetarë, raporton KOHA.
Sa i përket marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, shefi i BE-së ka shtuar se ky është një obligim i cili derivon nga viti 2013, me marrëveshjen e cila ishte ratifikuar me dy të tretat e deputetëve të Kuvendit. Por sipas tij, kjo përbën edhe çështje të brendshme kushtetuese për Kosovën, se si ta zbatojë këtë marrëveshje, teksa ka përmendur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Zbatimi i marrëveshjes së Asociacionit duhet të jetë në përputhje me atë vendim”.
Në lidhje me gjetjet e raportit të Progresit, diplomati evropian ka thënë se, duhet përkushtim më i madh dhe lidership nga Kosova për t’i përmbushur të gjitha kriteret që kërkohen nga marrëdhënia kontraktuale me BE-në.