Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomash Szunyog ka diskutuar me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë për dialogun me Serbinë, liberalizimin e vizave dhe një varg çështjesh tjera që lidhen me procesin integrues, raporton Ekonomia Online.
Por në takimit që zgjati më shumë se një orë nuk është diskutua për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka konfirmuar pas takimit kryetari i këtij Komisioni Haki Abazi.
“Nuk u përmend asociacioni dhe nuk është i lidhur me targat, përgjegjësia e dialogut bile mbi Lajçakun”.
Sipas tij, heqja e vizave nuk u fut në konkluzionet e dala nga Samiti i Brdos, ngase sipas tij, procesi i integrimit dhe heqja e vizave janë dy çështje të ndara.
“Ishte një takim shumë përmbajtjesor ku çështjet kryesore ishin liberalizimi i vizave, aspekti i dialogut Kosovë-Serbi, dhe përkushtimi i Kosovës për të përmbushur obligimet tona. Ishte një takim konstruktiv dhe kemi një pajtim në ndihmesat në integrim evropian”.
“Takimi i Brdos nuk ka pasur çështjen e lëvizjes së lirë dhe kjo është punë e komisionit tonë dhe ambasadave tona”.
Abazi më tej tha se në takim në detaje është biseduar për dialogun dhe marrëveshjen për targat, duke shtuat se është Serbia që po saboton çdo proces, raporton EO.
“Kemi biseduar për dialogun, dhe që kemi një marrëveshje të përkohshme e që kemi një test për Serbinë”.
“Nuk u përmend për 4 marrëveshjet dhe kjo është e nënkuptueshme që nuk mund të flasim në këtë gjendje. Është vetëm Serbia që po saboton këtë gjendje”, tha tutje ai.
Ndërsa shefi i zyrës së BE-së në Kosovë nuk ka pranuar të flasë për gazetarët.