Shefi i diplomacisë gjermane nuk e kundërshton “Shengenin ballkanik”

Prishtinë | 14 Nën 2019 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, deklaroi se nuk sheh alternativa tjera përveç procesit të pranimit në BE, e shtoi se bashkëpunimi rajonal e plotëson këtë proces kur u pyet për ‘mini shengenin’.

Ai ende beson në procesin e integrimit në BE për ballkanasit përkundër lëkundjes së BE’së dhe humbjes së shkëlqimit të bllokut europian.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, u pyet para vizitës së tij në Shkup për akuzat se BE’ja nuk mbajti premtimet dhe se procesi i zgjerimit nuk ka mbështetje dhe se si i sheh idetë e reja si ‘mini shengen’ si alternativë e anëtarësimit në BE.

“Ne nuk shohim të ketë alternativa të tjera përveç procesit të pranimit në BE, nëse duam që të ruajmë interesin për reforma serioze dhe të qëndrueshme, si për shembull në fushën e shtetit ligjor. A mund të përmirësohet procesi ekzistues? Kjo është një çështje tjetër”.

Maas nuk i përjashtoi këto ide dhe shtoi se janë vetëm plotësim i procesit të integrimit europian për Ballkanin dhe i la meritat edhe BE’së e shtoi se ata i kanë mbështetur dhe përpjekjet e tyre me procesin e Berlinit kanë arritur mjaft.

“Përmirësimi i bashkëpunimit rajonal plotëson procesin e pranimit në BE. Forcimi i marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimi ekonomik janë në favor të secilit prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ato e bëjnë Ballkanin Perëndimor në përgjithësi më interesant. Me procesin e Berlinit ne mbështesim prej vitesh këto përpjekje dhe kemi arritur shumë, si për shembull kemi krijuar organizatën rajonale të të rinjve RYCO, dhe praktikisht, kemi ulur tarifat për roaming”.

Ai u pyet edhe për rënien e shkëlqimit të BE’së pas dolën në shesh mospajtimet brenda për Ballkanin perëndimor që kanë humbur besueshmërinë dhe aktivizimin e SHBA’ve dhe kthimit të idesë së këmbimit të territoreve, ai mbetet i bindur se BE’ja ka modelin më të mirë.’

“Bashkimi Europian mbështet perspektivën e një jete në liri, siguri dhe mirëqenie relative. Askush nuk ofron ndonjë model tjetër që të konkurrojë këtë model. Krah kësaj, BE është donatori më i madh në rajon me miliardat e ndihmës që jep dhe instrumentet e shumtë këshillues. Përveç nivelit europian, Gjermania angazhohet me shuma qindra milionëshe edhe në bashkëpunimin bilateral. Sa i përket idesë së këmbimit të territoreve ose ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, ne nuk mendojmë se kjo kontribuon për stabilitetin në rajon. Ajo që mbështesim ne është rifillimi i shpejtë i dialogut të ndërmjetësuar nga BE, duke pasur si synim një marrëveshje të gjithanshme që t’i mundësojë të dy vendeve afrimin me BE”.

Ai u pyet edhe për marrëdhëniet me Rusinë që po rrit ndikimin dhe akuzohet për përpjekje të destabilizimit të europës, transmeton gazetametro.

“Ne dëshirojmë një bashkëpunim konstruktiv me Rusinë, edhe nëse kemi ndryshime pikëpamjesh. Ne e kuptojmë po ashtu se është e rëndësishme që të ruhen marrëdhëniet e mira dhe lidhjet kulturore. Kjo nuk është në kundërshtim me anëtarësimin në BE”.

Gjermania festoi 30 vite të rënies së murit të Berlinit që shënoi fillimin e shembjes së komunizmit dhe nuk i iku askujt fjalimi i Sekretarit të Shtetit Amerikan, Mike Pompeo, me atë rast kur ju kujtoi aleatëve perëndimor se i kanë anashkaluar vlerat perëndimore. Njëra kritikë që i përmendet shpesh Gjermanëve është mos përmbushja e zotimeve ndaj NATO’s dhe projekti i NordStream 2 në bashkëpunim me Rusinë që sjell gazin rus në portet gjermane që krijon varësi ndaj një burimi të vetëm energjie dhe forcon një pushtet që nuk i respekton vlerat perëndimore demokratike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme