Shefi i FBI-së: COVID-i me shumë gjasë rrodhi nga laboratori në Kinë

Prishtinë | 01 Mar 2023 | 09:16 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, ka thënë se byroja beson se COVID-19 “me shumë gjasë” ka origjinën nga “një laborator kinez i kontrolluar nga qeveria”.

“FBI-ja ka kohë që ka vlerësuar se origjina e pandemisë me shumë ngjarë është nga një incident i mundshëm laboratorik”, tha ai për “Fox News”.

Është konfirmimi i parë publikim i vlerësimit të FBI-së se si nisi pandemia.

Kina ka mohuar rrjedhjen nga laboratori në Wuhan, duke i quajtur akuzat si shpifje.

Komentet e Wrayt vijnë një ditë pasi ambasadori i SHBA-së në Kinë, i bëri thirrje vendit “të jetë më i sinqertë” me origjinën e COVID-it.

Në një intervistë të martën, Wray tha se Kina “ka bërë çmos për t’u përpjekur që t’i pengojë dhe turbullojë” tentimet për të identifikuar burimin e pandemisë globale.

“Dhe kjo gjë është për të ardhur keq”, tha ai.

Disa studime thonë se virusi ka bërë kapërcimin nga kafshët te njerëzit në Wuhan në Kinë, ndoshta në tregun e ushqimeve të detit apo të kafshëve të egra.

Tregu është 40 minuta rrugë me makinë nga laboratori kryesor në botë për viruse, Instituti i Virologjisë në Wuhan, që ka kryer kërkime për koronaviruset.

Agjenci të tjera qeveritare në SHBA kanë nxjerrë përfundime ndryshe nga ato të FBI-së, me shkallë të ndryshme besimi në gjetjet e tyre.

Kina ende nuk i është përgjigjur komenteve të kreut të FBI-së, megjithatë të hënën, ajo ka hedhur poshtë raportimet e mediave se virusi ka nisur nga laboratori.

Pekini ka përmendur edhe hetimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në vitin 2021, që tha se teoria e rrjedhjes laboratorike “është jashtëzakonisht e pamundur”.

Pandemia COVID-19 ka marrë mbi 6.8 milionë jetë nëpër botë.

Të ngjashme