Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se Aleanca Veri-Atlantike mbështet fuqimisht vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd.
“Unë kam thënë vazhdimisht se tarifat 100 përqind të vendosura nga Kosova për mallrat nga Serbia nuk ndihmojnë”, thotë Stoltenberg.
Përmes një video-konferencë kushtuar Raportit Vjetor të Aktivitetit të Aleancës 2019, ai tha se NATO-ja mbetet e përkushtuar për misionin e KFOR-it në Kosovë.
“Ne mbështesim të gjitha përpjekjet për të rifilluar dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, sepse kjo është mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit në rajon”tha Stoltenberg.
Përveç thirrjes për heqjen e tarifave dhe vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjithashtu bëri thirrje për uljen e tensioneve në Kosovë.
“Ne bëjmë thirrje për përmbajtje dhe paqe kur bëhet fjalë për tensionet që shohim në Kosovë”, thotë Stoltenberg.
Ai thekson se NATO mbetet e përkushtuar ndaj misionit të KFOR-it në Kosovë, transmeton Klan Kosova.
Stoltenberg theksoi poashtu se kjo aleancë mbetet plotësisht operacional në rrethanat e pandemisë COVID-19.