Bankierët qendrorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë parë mundësinë e zhvillimit të një monedhe dixhitale, e cila do të ishte në dispozicion të drejtpërdrejtë për bizneset dhe familjet.
Këtë e ka konfirmuar shefi i Rezervës Federale, Jerome Powell në një letër drejtuar ligjvënësve.
“Ndërsa ne nuk po zhvillojmë aktualisht një monedhë dixhitale të bankës qendrore, ne kemi vlerësuar dhe vazhdojmë të analizojmë me kujdes kostot dhe përfitimet e ndjekjes së një iniciative të tillë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi Powell, përcjell Telegrafi.
Një monedhë dixhitale e mbështetur nga banka qendrore në ekonominë më të madhe do të ishte e paparë dhe do të ngrinte një mori pyetjesh ligjore dhe operacionale.
Powell shtoi se do të konsiderohej nga afër nga politikëbërësit, por shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të jenë në njëfarë mënyre të pozicionuar më mirë se vendet e tjera që kanë shikuar një propozim të tillë.
“Ne po vëzhgojmë me kujdes aktivitetet e bankave të tjera qendrore për të identifikuar përfitimet e mundshme që mund të jenë të rëndësishme në kontekstin amerikan. Deri më tani, vëzhgimi ynë është se shumë nga sfidat që shpresojnë të adresojnë nuk zbatohen për SHBA-në”, shtoi ai.
Propozimet e monedhës dixhitale janë shfaqur në të gjithë sektorin privat gjatë vitit të kaluar, përfshirë në Facebook, J. P. Morgan dhe Wells Fargo, megjithëse disa ligjvënës i kanë shënjuar këto si rreziqe të mundshme për politikën monetare dhe rregulloret financiare.
“Unë mendoj se jemi të pajtimit që Libra ngre shumë shqetësime serioze dhe ato do të përfshijnë intimitetin, pastrimin e parave, mbrojtjen e konsumatorit, stabilitetin financiar. Ata do të duhet të vlerësohen plotësisht dhe publikisht dhe vlerësohen para se të vazhdojë kjo”, kishte thënë Powell në muajin korrik gjatë prezantimit të Libras nga Facebook.