Shefi i Urgjencës pritet të emërohet drejtor për Shëndetësi në Prishtinë

Prishtinë | 04 Dhj 2018 | 09:22 | Nga Ekonomia Online

Bujar Gashi, specialist i mjekësisë familjare, pritet ta zërë postin e drejtorit të Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, të cilin deri para afro një muaji e ka mbajtur Arben Vitia.

Kështu bëjnë të ditur burime të “Kohës Ditore”, ndërsa lajmin nuk e ka mohuar as Gashi, i kontaktuar nga gazeta.

ishte caktuar fiks para dy vjetësh në postin e u.d. të drejtorit të Qendrës së Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, dhe pastaj ishte bërë edhe drejtor aty, duke e mbajtur këtë post deri tani. Edhe atëherë vendimin e tij për t’u bërë drejtor e kishte nënshkruar Shpend Ahmeti.

Përpos si mjek familjar, Gashi në vitin 2013 ka qenë kandidat për Asamblenë Komunale të Prishtinës nga radhët e AAK-së, partisë së kryeministrit Ramush Harandinaj, me të cilën aktualisht PSD-ja ka koalicion për ta qeverisur kryeqytetin.

I kontaktuar nga gazeta, Gashi të hënën as nuk e ka mohuar, por as nuk e ka pohuar zgjedhjen e tij si drejtor i Shëndetësisë në kryeqytet.

“Deri tani nuk kam nënshkruar asgjë zyrtare, prandaj nuk di çfarë të them”, ka thënë shkurt Gashi për gazetën.

Ndërsa njoftimin se Gashi do të jetë drejtor i ardhshëm i Shëndetësisë në Komunë nuk e ka mohuar as kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ai ka thënë se do të marrë një vendim së shpejti, pasi të konsultohet edhe me partinë të cilën e udhëheq, PSD-në. Krejt kjo do të ndodhë pas kthimit të tij nga Londra, ku ai gjendet për një vizitë zyrtare dhe atje do të qëndrojë edhe të martën.

Ndërkohë, është bërë gati një muaj që kur Ahmeti ka shkarkuar dy drejtorë të kabinetit të tij, të Shëndetësisë – Arben Vitia dhe atë të Kadastrës -Nora Kelmendi, të cilët kanë zgjedhur të radhiten me Lëvizjen Vetëvendosje, pas ndarjes së partisë nga një në dy.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme