Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka takuar gjatë ditës sot liderët e tri partive opozitare, Lumir Abdixhikun nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Në takim me Szunyog, LDK-ja njoftoi se Abdixhiku ka ripërsëritur kërkesën e vazhdueshme për përshpejtimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës si dhe të proceseve të integrimeve evropiane.
Në takim bëhet e ditur se është biseduar edhe për reformën zgjedhore si dhe për agjendën legjislative të Kuvendit të Kosovës që ndërlidhen me proceset e integrimit evropian të Kosovës.
“LDK, si deri më tani, vazhdon të jetë partner i besueshëm për institucionet ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin për media të LDK-së.
Për zhvillimet politike që ndërlidhin Kosovën, rajonin dhe BE-në, Szunyog ka diskutuar edhe me kreun e PDK-së, Memli Krasniqin.
Siç njoftoi ky i fundit, ndër të tjera kanë biseduar edhe për agresionin e Rusisë në Ukrainë.
“U vlerësua qëndrimi i Kosovës e cila nëpërmjet Rezolutës së Kuvendit ishte në linjë me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, shkroi i pari i PDK-së në rrjetin social Facebook.
Në anën tjetër, Haradinaj takimin me shefin e BE-së e ka shfrytëzuar për t’i kërkuar mbështetje për rrugën euroatlantike të Kosovës dhe gjithashtu për procesin e dialogut me Serbinë.
“Situata aktuale me theks të veçantë ajo e sigurisë, ishin temat e takimit të sotëm me Tomas Szunyog, shef i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë”, shkroi Haradinaj në profilin e tij në Facebook.
“Kërkova nga ambasadori mbështetjen e tij dhe të BE-së, për rrugën euroatlantike të Kosovës dhe gjithashtu për procesin e dialogut me Serbinë, që do të përfundojë me njohje reciproke dhe do të respektojë sovranitetin, integritetin territorial dhe kushtetues të Republikës së Kosovës”.