Sot, 1 qershori Dita e Fëmijëve, shefi i zyrës së UNICEF në Kosovë, Murat Sahin, për nder të kësaj dite ka lëshuar një komunikatë për media me thirrjen e vetme që të dyfishohen investimet në fëmijë.
“1 Qershori është thirrje për të gjithë ne që t’i shqyrtojmë pozicionet tona, t’i rishikojmë investimet dhe politikat tona dhe të drejtohemi drejt investimeve për një jetë më të mirë për fëmijët tanë. Fëmijët janë katalizatorët e ndryshimit në shoqëri. I falënderoj të rinjtë dhe potencialin e tyre, dëshmitar i së cilës kam qenë personalisht që nga dita e parë kur erdha në Kosovë”, thotë ai.
Sahin thotë se pak përparim është bërë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe integrimi i tyre në shoqëri mbetet sfidë për shkak të mbështetjes së kufizuar, shërbimeve shëndetësore joadekuate dhe qasjes së dobët në shërbimet ekzistuese.
“Kosova duhet të sigurojë që fëmijët me aftësi të kufizuara të ndjekin shkollat publike krahas bashkëmoshatarëve të tyre. Është thjesht moralisht e papranueshme që në një Kosovë me nivelin e burimeve, njohurive, teknologjisë dhe fondeve të donatorëve që janë në dispozicion, ende të ekzistojnë 20% e fëmijëve që jetojnë në varfëri. Regjistrimi në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët është pothuajse i përgjithshëm (95.6%). Numri i fëmijëve të moshës 0-5 vjeç që ndjekin institucionet e licencuara të arsimit parashkollor mbetet shumë i ulët (4.9%), rreth 19.1% ndjekin arsimin parashkollor dhe parafillor (0-6 vjeç). Investimi në sektorët kryesorë socialë duhet të jetë obligim etik për çdo vend që mbështet të drejtat e njeriut. Për më tepër, Konventa e të Drejtave të Fëmijëve (e cila përfshihet në Kushtetutën e Kosovës) detyron të dyja qeveritë dhe bashkësinë ndërkombëtare që të kontribuojnë në arritjen e të drejtave të fëmijëve, duke përfshirë dispozitat që lidhen me këto të drejta në kornizat dhe programet ligjore kombëtare dhe politikëbërëse si dhe në planet e shpenzimeve”, ka thënë Sahin.
Sahin njëkohësisht ka kujtuar edhe momentet kur ka ardhur në Kosovë dhe rastet e rënda që ka hasur tek fëmijët.
“Për fat të keq, kur mbërrita në Kosovë, nuk pashë vetëm gjëra pozitive. Derisa Riadi dhe bashkëmoshatarët e tij nga të gjitha komunitetet në Kosovë po merrnin pjesë në aktivitetin e UNICEF-it, Aktivizo Bisedat, një vajzë rome 16 vjeçare po kujdesej për fëmijën e saj, në vend që të argëtohej bashkë me bashkëmoshatarët e saj. Ajo po qëndronte në dhomën e pritjes në një klinikë në fshatin Magure për të vaksinuar foshnjën e saj të parë. Kur e takova për herë të parë, ajo mbante foshnjën e saj derisa një infermiere po përpiqej ta vaksinonte. Mendova se foshnja ishte motra e saj, por infermierja më tha se në fakt ajo ishte nëna e saj. E shikoja dhe shihja një fëmijë tek po e mbante foshnjën e saj në krahë. Ajo gjithashtu jetonte në kushte të vështira ekonomike. Ishte shumë e dhimbshme të jesh dëshmitar i gjithë kësaj. Dhe në të njëjtën kohë, ishte një sinjal alarmant për të gjithë ne, sepse kjo na tregon se ende ka shumë punë për t’u bërë”, ka thënë ai.
Në total, rreth 35,000 romë, ashkali dhe egjiptianë jetojnë në Kosovë. Nga ky numër, rreth 17,000 janë fëmijë prej 0-19 vjeç, ose rreth 48% të numrit të përgjithshëm të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
UNICEF-i është i angazhuar që të bëjë më shumë, së bashku me të gjithë ju, qeverinë, institucionet publike, shoqërinë civile, shtresën akademike dhe bizneset private. Të gjithë duhet të na ndihmoni për të krijuar një botë më të mirë për fëmijët. Dje u lansua Strategjia dhe Plani i Veprimit për Mbrojtjen e Fëmijëve, gjë që UNICEF-i e ka përkrahur me entuziazëm të madh.
“Ne do ta mbështesim zbatimin e planit strategjik dhe të veprimit që do të avancojë më tej realizimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë. U bëj thirrje që ta dyfishojmë investimin tonë për fëmijët sidomos në arsimin e hershëm të tyre dhe në ngritjen e cilësisë së arsimit për të rinjtë në Kosovë”, thuhet në fund të komunikatës.