Shega është një fryt me forcë antioksiduese të rrallë.
Në sajë të kësaj force, ajo mbron organizmin nga shumë faktorë të rrezikshëm, siç janë radikalet e lira që prodhohen në organizëm natyrshëm dhe që shtohen së tepërmi nga mënyra abuzuese e jetesës si duhan-pirja, alkooli, ajri i ndotur, kequshqyerja dhe predispozita gjenetike.
Shegët dhe kanceri i mushkërive
Në një nga studimet për këtë fryt, është vënë re se lëngu i shegëve që përftohet nga shtrydhja, ka rezultuar të ngadalësojë rritjen e masës tumorale në mushkëri, në minj eksperimental.
Deri më sot, kanceri i mushkërive është kanceri që vret më shumë nga të gjithë llojet dhe për këtë arsye ky rezultat është një lajm shumë i mirë. Sidomos për personat që janë duhanpirës, pasi rreziku që ata të preken nga kjo sëmundje është shumë herë më i madh, në krahasim me ata që nuk pinë duhan.
Ky efekt është i lidhur me forcën e madhe antioksiduese që ka shega, e cila gjendet pikërisht te ngjyra e kuqe e saj dhe ul inflamacionin. Mendohet që shegët kanë më shumë fuqi antioksiduese se sa vera e kuqe dhe çaji jeshil, të përfolur së tepërmi kohët e fundit.
Kanceri i mushkërive nuk është i vetmi që duket të parandalohet nga shegët, ato veprojnë fuqishëm edhe kundër kancerit të prostatës dhe atij të gjirit.
Sasia e nevojshme e konsumit të këtij fryti, në mënyrë që të përftohen këto përfitime është e barabartë me 2-3 gota lëng në ditë.
Kombinimi ideal
Është zbuluar se lëngu i shegës i kombinuar me 2-3 hurma Arabia në ditë, mund të ofrojë një mbrojtje tepër efektive kundër sëmundjeve të zemrës dhe hemorragjisë cerebrale. Kjo do të ishte mënyra ideale për të përftuar maksimumin e vlerave ushqyese të këtyre dy frutave, të cilat rezultojnë shumë më të fuqishme kur merren së bashku, krahasuar me konsumin e frutave veç e veç.