Shembet një ndërtesë në Turqi, disa persona dyshohet se kanë mbetur nën rrënoja

Prishtinë | 09 Nën 2021 | 19:22 | Nga Ekonomia Online

Disa njerëz janë shpëtuar dhe disa të tjerë kanë mbetur nën rrënoja pasi një ndërtesë tregtare u shemb në qytetin turk të Malatya.

Zyrtarët lokalë raportuan se 13 persona janë nxjerrë nga rrënojat deri të martën në mbrëmje, por thanë se të tjerë ishin ende të bllokuar.

Guvernatori i provincës së Malatya, Aydın Baruş u tha gazetarëve se rreth 20 persona ishin në ndërtesë kur ajo u shemb, shkruan Euronews, përcjell Klankosova.tv

“Zyrtarët e kërkimit dhe shpëtimit deklaruan se dëgjuan një zë nga një person [dhe] po përpiqen t’i arrijnë ata. Vlerësojmë se nuk ka shumë njerëz nën rrënoja, por vazhdojmë të punojmë me përkushtim”, tha Baruş në një deklaratë.

Agjencia qeveritare e Menaxhimit të Fatkeqësive (AFAD) tha se 13 persona janë dërguar në spital me lëndime.

“Ekipet e kërkimit dhe shpëtimit nga provincat u dërguan në rajon për të mbështetur aktivitetet,” tha AFAD në Tëitter.

Ndërtesa dykatëshe ndodhej në një rrugë të frekuentuar në Malatya, një qytet me 450 mijë banorë që ndodhet 500 km në lindje të Ankarasë.

Nuk dihen ende arsyet e shembjes, por ka nisur hetimi.

Të ngjashme