Italia të hënën i ka raportuar 349 vdekje të reja nga coronavirusi, duke e çuar në 2158 numrin e përgjithshëm të viktimave.
Të dhënat e fundit nga Departamenti i Mbrojtjes Civile tregojnë se edhe numri i personave të infektuar u rrit për 12 për qind, duke e çuar në 23 mijë e 73 shifrën e përgjithshme.
Qeveria italiane ende po shpreson se masat e ashpra të izolimit do të ndikojnë në ndalimin e përhapjes së madhe, ndonëse shifrat e rritjes së rasteve janë akoma shqetësuese.
Për të ofruar ndihmë për bizneset dhe familjet e goditura nga izolimi i gjatë, qeveria italiane të hënën e miratoi pakon e shumëpritur ekonomike prej 25 miliardë eurove, shkruan “Anadolu”.
Italia është shteti më i prekur nga koronavirusi në Evropë. Rastet e para atje u konfirmuan në pjesën veriore, më saktësisht në rajonin e Lombardisë.
Qeveria i ka mbyllur shkollat dhe e ka vendosur tërë vendin në karantinë të plotë si përpjekje për ta luftuar përhapjen e mëtejme të virusit Covid-19.