Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi me bashkëpunëtor, përfaqësues të OVL së UÇK-së dega në Rahovec, familjar të Dëshmorëve dhe qytetarë, kanë shënuar ditën e Dëshmorëve të Komunës së Rahovecit, duke bërë homazhe, nderime dhe vendosur kurorave me lule tek varrezat e Dëshmorëve në qytetin e Rahovecit, vend rëniet e Dëshmoreve në fshatrat Malësi e Vogël, Ratkoc dhe Vrajak.
Me 12 maj 1998, krisi fort dhe jehoi gjithandej pushka e parë çlirimtare në Anadrini;
Me 12 maj 1998 u zhvillua beteja e parë e hapur (në relacionin Ratkoc-Vrajakë-Bratotin-Malësi e Vogël) kundër pushtuesve në Zonën e Pashtrikut dhe e treta në Kosovë, pas Prekazit dhe Gllogjanit. Me 12 maj 1998 me luftën tonë, i detyruam forcat pushtuese serbe të tërhiqen me humbje dhe me turp si dhe të ndiqen deri matanë Gradishit. Stacioni famëkeq në Ratkoc i cili mbahej nga policia serbe, ra në duart e çlirimtarëve; Me 12 maj 1998 në fushë të nderit ranë dëshmorët e parë të lirisë, Milaim Krasniqi dhe Elmi Morina;
“12 maji” është ditë e mobilizimit të liridashësve anadrinas dhe një moment i kapërcimit (nga ilegalja në legale), në një fazë të re i luftës sonë për çlirim; “12 maji” është ditë e krenarisë, sakrificës dhe dhimbjes sonë për gjakun e derdhur; “12 maji” është dita e fillimit të fundit të epokës së territ të robërisë; “12 maji” është dita e dëshmorëve të kombit të Brigadës 124 ” Gani Paçarizi.
“Le t’i kujtojmë veprat e pavdekshme të dëshmorëve të kombit dhe rrugëtimin luftarak e jetësor të tyre! Le t’i kujtojmë të gjithë ata djem e burra, motra e vëllezër, shokë e atdhetarë, të cilët në kohën kur jetuan dhe vepruan, vendosën, qoftë edhe një gur në kalanë e çlirimit të atdheut dhe në themelet e lirisë së kombit dhanë mundin, djersën dhe jetën e tyre në etapa të ndryshme historike”, ka thënë në fjalimin e tij kryetari Latifi.