Shënohet Dita Evropiane për Respektimin e të Drejtave Gjuhësore – “Diversiteti i gjuhëve, vlerë e shtuar”

Prishtinë | 26 Sht 2023 | 14:21 | Nga Gresë Alija Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Avokati i Popullit, në bashkëpunim me Zyrën e Komisionerit për Gjuhë, ka shënuar Ditën Evropiane për Respektimin e të Drejtave Gjuhësore, raporton Ekonomia Online.

Aktiviteti, i cili u mbajt në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pati qëllim informimin dhe promovimin e të drejtave gjuhësore, ku u theksua se ato janë shumë të rëndësishme në Kosovë, si një vend multi-etnik.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se diversiteti i gjuhëve është një vlerë e shtuar në shoqëri.

Ai, po ashtu, tha se në Kosovë cështja e gjuhëve të komuniteteve jo-shumicë është e rregulluar shumë mirë, edhe me ligj.

“Sot në bashkëpunim me Zyrën e Komisionerit për Gjuhë, institucioni i Avokatit të Popullit, në nder të Ditës Evropiane për Respektimin e të Drejtave Gjuhësore, ka organizuar këtë aktivitet në shesh me qëllim të informimit dhe promovimit të drejtave gjuhësore, për qytetarët që janë të interesuar ta kuptojnë se cilat janë të drejtat gjuhësore në Kosovë, sa respektohen ato, në anën tjetër me shpërnda edhe materialin punues ku do të informohen për të drejtën gjuhësore në Kosovë”.

“Në këtë formë ka për qëllim promovimin e diversitetit të gjuhëve si një vlerë e shtuar në një shoqëri. Këtë vlerë e ka Republika e Kosovës, sepse brenda strukturës së popullatës ka komunitete jo shumicë në gjuhë të ndryshme që në aspektin e legjislacionit dhe rregullimit ligjor e kushtetues është e rregulluar shumë mirë. Me ligje të veçanta, është e përcaktuar gjuha serbe dhe gjuha në tërë territorin, por edhe të drejta për përdorim të gjuhëve nga ana e komuniteteve joshumicë në komunat ku jetojnë në një vend të përcaktuar”.

Ndërsa, sa i përket ankesave të qytetarëve, ai tha se kanë pranuar disa të tilla e se më së shumti ka ankesa për përmirësimin e cilësisë së përkthimeve.

“Ne kemi trajtuar disa ankesa nga qytetarët në lidhje me këtë çështje, kemi konkluduar që detyrë dhe përgjegjësi e autoriteteve është  garantimi i respektimit të kësaj të drejte. Ka pasur përgjigje pozitive nga autoritete, kemi marrë informacione që është rrit numri i përkthyesve në institucione, është përmirësuar paraqitja e informacionit në platformat online tek institucionet në përgjithësi edhe te ato lokale edhe qendrore, megjithatë ka akoma shumë vend për me u përmirësu”.

“Një prej shqetësimeve që ne kemi ngritur në vite ka qenë edhe cilësia e përkthimeve sepse ka shumë rëndësi, sidomos të akteve që kanë një peshë dhe një rëndësi për qytetarët, ligjeve dhe legjislacioni në përgjithësi, akte nënligjore dhe vendimeve që marrin autoritetet publike me qëllim që mos me pas gabime dhe keqkuptim dhe keq interpretim, të vendimeve që merren nga autoritetet publike”.

Slaviša Mladenović, Komisioneri për Gjuhët nga Zyra e Kryeministrit, ka thënë se komunitetet duhet të punojnë për ruajtjen e gjuhëve të veta, por se ZKM mundohet t’i promovojë mësimin e gjuhëve të komuniteteve.

Ai ka thënë se shpeshherë ligji për gjuhët nuk respektohet, prandaj janë duke punuar në këtë drejtim.

“Sot është dita evropiane e gjuhëve ku shënojmë mundësinë e mësimit të gjuhës dhe promovojmë mësimin e gjuhëve. Kjo është një vlerë që ekziston në Kosovë dhe sot duhet ta shënojmë këtë ditë edhe për ta promovuar tutje mundësinë e mësimit të gjuhëve zyrtare”.

“Ne si ZKM kemi mundësi të kufizuara për promovimin dhe ruajtjen e gjuhëve, vetë komunitetet duhet të punojnë për ruajtjen e gjuhëve të veta, por ne promovojmë mësimin e gjuhëve të komuniteteve të tjera dhe gjuhëve tjera zyrtare me qëllim të krijimit të kapaciteteve për zbatimin e ligjit për gjuhët e cila nuk respektohet në tërë si në Kosovë”.

“Ne monitorojmë, japin rekomandime edhe për fat të keq, shpesh ligji për gjuhët nuk respektohet, jemi duke punuar në këtë drejtim, përmes rekomandimeve. Shembull gjatë vitit qeveria ka marrë vendim për formimin e njësisë për përkthim dhe harmonizim me qëllim të përmirësimit të gjendjes”.

“Mesazhin e sotëm ua kisha drejtuar qytetarëve, që shumëgjuhësia është një vlerë që duhet të ruhet dhe që duhet të mësojmë gjuhët e huaja si dhe gjuhët e komuniteteve që na rrethojnë me të cilat bashkëjetojmë, vetëm kështu do t’i ruajmë edhe kto vlera, do ta ruajmë Kosovën multietnike dhe do të mundësojmë që edhe administrata të funksionojë në të ardhmen”.

Të ngjashme