Shërbimi shëndetësor shtëpiak në kryeqytet falas, Sadiku: Mbi 70 mijë shërbime gjatë vitit

Prishtinë | 08 Dhj 2024 | 09:00 | Nga Diellza Gashi

Shërbimi shëndetësor shtëpiak në kryeqytet po u ofrohet pacientëve që nuk mund të shkojnë në Qendrën e Mjekësisë Familjare. Deri në fund të nëntorit numri i atyre që kanë marrë këtë shërbim ka arritur në 70 mijë shërbime, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Shëndetësisë të Komunës së Prishtinës, Izet Sadiku ka njoftuar për përmirësimin dhe forcimin e shërbimit shëndetësor shtëpiak në kryeqytet.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Sadiku ka thënë se ky shërbim ofrohet për qytetarët që për arsye të ndryshme, nuk mund të marrin kujdesin mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare, si dhe ofrohet 12 orë në ditë, për gjatë tërë vitit.

“Shërbimi shtëpiak është një shërbim i cili u jepet qytetarëve të cilët për arsye të ndryshme, këtë shërbim nuk mund ta marrin në Qendrën e Mjekësisë Familjare dhe këtë shërbim e kemi forcuar me ardhjen në qeverisje në Prishtinë. Fatkeqësisht në Kosovë, nuk ka shërbime për të moshuarit dhe për këtë arsye ne e kemi bërë këtë shërbim me shtatë ditë të javës, 12 orë dhe punon 365 ditë në vit. Për të treguar rëndësinë apo rritjen e këtij shërbimi tregon numri, kur kemi ardhur para tre viteve ky shërbim brenda një viti ka dhënë 22 mijë shërbime, ndërsa në këtë vit deri tani në fund të nëntorit kemi 70 mijë shërbime dhe besoj që diku rreth 80 mijë do të ketë”, ka thënë Sadiku.

Ai ka theksuar se ky shërbim ofrohet për pacientët në faza terminale, duke siguruar se ata kanë një trajtim dinjitoz deri në çastet e fundit të jetës. “Ne si punëtorë shëndetësorë kemi detyrimin të sigurojmë dinjitetin e qytetarëve gjatë gjithë procesit të trajtimit,” ka shtuar ai.

“Ndërsa është rritur numri i shërbimeve ditore çdo ditë në Prishtinë gjatë 365 ditëve të vitit jepen mbi 200 shërbime dhe vizita mjekësore në shtëpi të qytetarëve të Prishtinës. Kjo ndikon në përmirësimin sepse realisht një pjesë të shërbimit për një pjesë të pacientëve që janë fazë terminale dhe ne e dimë si mjek që jeta në mjekësi, që vdekja është pjesë e jetës dhe përfundimi i jetës, por ne jemi të obliguar si punëtor shëndetësor të bëjmë të dinjtetshëm çdo qytetari jetën deri në çastet e fundit dhe ne me ekipet kemi arritur që këtë dinjitet tua kthejmë qytetarëve”, ka deklaruar ai për EO.

Sadiku ka bërë të ditur gjithashtu se ky shërbim është i shtrenjtë në vendet evropiane, mirëpo ka theksuar se këto shërbime ofrohen pa pagesë për qytetarët e Prishtinës, duke përfshirë terapinë e plotë.

“Realisht këto shërbime janë të shtrenjta, këto shërbime nëse nuk ke sigurim shëndetësor në Belgjikë për një vit janë 72 mijë euro, ndërsa ne i kemi rreth një mijë qytetarë gjatë vitit që u japim shërbime që sigurisht shkojnë 720 milionë euro. Do të thotë që shkon investim shumë i madh për qytetarët që realisht kur dihet që shumica prej tyre janë pensionet dhe kanë pensionet të vogla do ta kenë shumë pak mundësinë për të paguar shërbimin. Por ne kemi mundësuar këtë shërbim në shtëpi dhe komplet terapia jepet nga shëndetësia e Prishtinës”, ka theksuar Sadiku.

Drejtori i Shëndetësisë ka njoftuar gjithashtu se qytetarët mund të kërkojnë shërbime shtëpiake duke telefonuar në numrat e dedikuar: 080099999 dhe 038222374.

“Ky shërbim i përfshinë të gjithë pacientët të cilat qoftë për shkak të sëmundjes apo moshës nuk mund të vizitojnë në shtëpinë e shëndetit. Ata mund të na thërrasin numrat tonë që janë publik 080099999 dhe 038222374 çdo ditë dhe epiket tona do të jenë aty pranë tyre për të ofruar shërbimet më të mira për ta”, njoftoi ai.

Të ngjashme