Shërbimi Spitalor ofroi 6.9 milionë shërbime shëndetësore për një vit

Prishtinë | 17 Mar 2018 | 19:06 | Nga

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), nga muaji janar deri në fund të dhjetorit 2017, ka ofruar 6.9 milionë shërbime të ndryshme shëndetësore.

Në këto shërbime përfshihen operacione, kontrolle specialistike, analiza laboratorike, ekzaminime diagnostike, bëhet e ditur në raportin e punës për vitin 2017, të miratuar nga Bordi Drejtues të SHSKUK-së.

Në klinikat e QKUK-së dhe Spitalet e Përgjithshme ka pasur gjithsej 164 973 pacientë të shtrirë me 881 711 ditë shërimi.

Në raport bëhet e ditur se në nivel të QKUK-së dhe shtatë Spitalet e Përgjithshme, janë kryer 40 509 operacione, përderisa janë ofruar 1.3 milion shërbime dhe kontrolle në ambulancat specialistike.

Në laboratorët e QKUK-së dhe Spitaleve të Përgjithshme janë kryer gjithsej 2.7 milionë parametra laboratorike për 458 484 pacientë.

Në shërbimet diagonstike në nivel të SHSKUK-së janë kryer 1.9 milion shërbime, përfshirë rëntgen, tomografi të kompjuterizuar, rezonanca magnetike dhe ekzaminime të tjera diagnostike.

Menaxhmenti i SHSKUK-së thotë se me prioritet të lartë po merret që sa më shpejt të funksionalizojë objektin e ri të ambulancave specialistike për degët kirurgjike, ortopedi, fiziatri dhe degët internistike, objekt ky që do të ofrojë kushte bashkëkohore për pacientët dhe stafin shëndetësorë që ofron shërbime shëndetësore.

Menaxhmenti i SHSKUK-së thotë se në koordinim edhe me Ministrinë e Shëndetësisë, po punojnë që furnizimi me barna dhe material shpenzues të përmirësohet muajt në vijim, meqë janë në procedurë prokurimi 300 artikuj të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme