Rritja e pagës për anëtarët e kabinetit qeveritar dhe për një pjesë të shërbyesve civilë, përveçqë konsiderohet joligjore, ka nxitur paralajmërimet për një valë protestash e grevash të punëtorëve të sektorëve publikë, shkruan sot Koha Ditore.
Mjekët të mërkurën kanë kërcënuar me veprime radikale nëse Haradinaj nuk reflekton ngjashëm si me rastin e rritjes së rrogës për vete. Rritje të pagave të mërkurën kanë kërkuar edhe shërbyesit civilë.
Ndërkohë, Instituti i Kosovës për Drejtësi nëpërmjet një analize ligjore të publikuar në media ka deklaruar se rritja e pagave nga ana e kryeministrit paraqet tejkalim të kompetencave ligjore.
“Vendimi i Qeverisë tejkalon kompetencat e përcaktuara me Ligj dhe me Rregulloren e Punës së Qeverisë, e cila në asnjë dispozitë të saj nuk përcakton kompetencat dhe përgjegjësitë e Qeverisë për caktimin e pagave apo kompensimit për kryeministrin apo ministrat”, thuhet në reagimin e IKD-së.
Sipas tyre, vendimi i miratuar nga Qeveria Haradinaj, përveçqë është bërë në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm, po ai është bërë pa analizë ligjore adekuate dhe pa vlerësim apo konsultim lidhur me ndikimin financiar, që ky vendim ngërthen në vete për buxhetin e pushtetit ekzekutiv dhe pushtetin gjyqësor.