Shportat për mbeturina në sheshin “Nëna Terezë” shumica janë të dëmtuara, ndërkohë që fare pak të tilla ka deri te rrethrrotullimi, te Shkolla e Mjekësisë.
Sipas organizatës për mbrojtjen e mjedisit “Let`s do it Kosova”, Prishtina ka mungesë të mëdha sa u përket shportave për hedhjen e mbeturinave dhe se ata në strategjinë e tyre si organizatë kanë plane për vendosjen e shportave në rrugët qendrore, shkruan sot Koha Ditore.
“Ne si organizatë kemi planifikimet tona për vendosjen e shportave në rrugët qendrore, sidomos në hapësirat, të cilat janë të frekuentuara më tepër nga qytetarët, por në një të ardhme të afërt do të ketë mundësi reale të realizimit të një projekti të tillë”, ka bërë të ditur kjo organizatë.
Sipas saj, dëmtimin e shportave po e bëjnë në disa raste edhe qytetarët.
“Qytetarët pa dyshim kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë për shumë dëme që i shkaktohen mjedisit, shkatërrimi i shportave është një prej dëmeve, të gjithë kemi obligim të trajtojmë mjedisin ashtu siç i takon “, thonë në organizatën “Let`s do it Kosova”.