Prodhuesi i dytë i vaksinës kundër koronavirusit ka paralajmëruar telashe me prodhim të vaksinës për Bashkimin Evropian duke nxitur reagim të ashpër të bllokut.
“AstraZeneca” ka thënë se një problem në prodhim nënkupton se numri fillestar i dozave do të jetë më i ulët se që pritej fillimisht.
Goditja e re vjen pak pasi programi i “Pfizer-BioNTechut” pësoi rënie në shpërndarje të vaksinës. Komisioneri i Shëndetësisë i Bashkimit Evropian ka shprehur “zhgënjimin e thellë” për këtë lajm.
Zyrtarët s’kanë treguar publikisht sa do të jetë rënia, por një zyrtar i BE-së i ka thënë “Reutersit” se rënia do të jetë deri 60 për qind në tremujorin e parë të vitit.
Fillimisht kompania kishte premtuar 80 milionë doza për 27 shtete deri në mars, por tani pritet të ketë prodhim vetëm për 31 milionë doza.
Vaksina e “AstraZenecas”, e zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit, nuk është aprovuar ende nga rregullatori i BE-së, por pritet të marrë dritën e gjelbër në fund të janarit.
Një zyrtar i kompanisë ka thënë të premten se “niveli fillestar i prodhimit do të jetë më i ulët se që mendohej fillimisht”, pa dhenë detaje të tjera.
Në njoftim me shkrim ai ka fajësuar problemet zinxhirore të prodhimit në BE duke thënë se kompania po mundohet të gjejë zgjidhje për të rritur prodhimin.
Komisioni Evropian kishte kryer porosinë për të gjitha shtetet anëtare, me vaksinat që do të shpërndaheshin në bazë të popullatës