Festivali i Komedisë në Korçë ‘Koko Fest’, mbylli edicionin e katërt me ndarjen e çmimeve për më të mirët e këtij edicioni, shkruan KultPlus.
Kësisoj çmimi kryesor i festivalit që është shfaqja më e mirë shkoi për shfaqjen ‘Shfaqja që shkon mbrapsht’ me regji të regjisorit kosovar Agon Myftari. Kjo është shfaqje e Teatrit të Shkupit, ndërsa fitoi edhe çmimin për aktoren e re më të mirë që ishte Aida Elezi.
Ky edicion i Koko Fest, nisi me shfaqjen e Teatrit të Korçës ‘8 Femrat’, komedi kjo e cila mori dy çmime, atë të aktores më të mirë protagonist që ishte Yllka Mujo dhe aktores më të mirë jo protagoniste që shkoi për Olta Dakun.
Shfaqja ’39 Hapa’ me regji të Qëndrim Rijanit, fitoi tri çmime në këtë edicion të Koko Fest. Regjia më e mirë që shkoi për Qëndrim Rijanin, aktori më i mirë Donald Shehu dhe aktori më i mirë joprotagonist Florian Agalliu.
Teatri Eksperimental në Tiranë në Koko Fest u prezantua me shfaqjen ‘Ferma e kafshëve’ me regji të Eri Isai, ku aktori Luftar Paja u vlerësua me çmimin e karrierës.
‘I ligu për mend’ ishte shfaqja që prezantoi Teatrin Kombëtar të Kosovës. Kjo shfaqje me regji të Altin Bashës, nxori fitues të çmimit aktori më i mirë protagonist Luan Jahën.
Ky edicion i Koko Fest, për shtatë ditë me radhë solli shtatë shfaqje të mrekullueshme të trojeve shqiptare, si nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Ky festival është bërë nga Teatri i Korçës me përkrahje të Bashkisë së Korçës dhe Qendrës së Artit e Kulturës në Korçë.