Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosjes kanë zhvilluar një aksion simbolik para komunës së Gjilanit, në shenjë revolte për pasivitetin e kryetarit. Aktivistët e VV-së kanë shpalosur banerin me mbishkrimin “Shhhht Luta po flen”.
Sipas aktivistëve të VV-së Lutfi Haziri kryetari i komunës, ka filluar mandatin si në mandatin e kaluar, me ushtrues detyre, përderisa sipas tyre drejtorët e komunës po shpërblehen me aktakuza.
“Kryetari Haziri ka hyrë në muajin e pestë pas zgjedhjeve lokale, ndërsa ai ende nuk e ka qeverinë e tij. Madje ka filluar si në mandatin e kaluar me ushtrues detyre në të gjitha drejtoritë e komunës, përderisa për shkak të qeverisjes ‘së mirë’ të tij, ish drejtorët e Lutës tash po ‘shpërblehen’ me aktakuza. Mospuna e kreut të komunës po i faturohet qytetarëve, të cilët nuk po i marrin shërbimet e duhura, të cilat ne të gjithë kemi të drejtë ti marrim”.
“Në të gjithë Kosovën kudo po hetohet çështja e mishit të prishur të importuar, ndërsa Gjilani nuk qanë hallin kush çfarë sjellë për qytetarët, sepse nuk ka as inspektorë sanitarë, sepse nuk ka as Drejtori të Inspeksionit tash e katër vjet”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Sipas këtij subjekti politik, Haziri e ka shndërruar Gjilanin në një kaos.
“Kjo qeverisje e Lutës e ka shndërruar Gjilanin në një kaos, gjë për të cilën do ta mallkojnë gjeneratat e ardhshme. Shpresojmë ta kemi zgjuar nga gjumi i thellë në të cilin ka rënë, sepse qytetarët kërkojnë kushte për jetë më të mirë, e jo ti dëgjojnë të gërhaturat e Lutës”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes