Riza Shillova, drejtor i Departamentit për Hetime, ka bërë të ditur se në çantën e polices në Gjilan janë gjetur çelësat se ku mbahej arma zyrtare.
Zyrtarja policore dje në Gjilan ka vrarë katër anëtarë të familjes dhe në fund ka bërë edhe vetëvrasje.
“Në çantën e polices, e cila kreu vrasjen e shumëfishtë në Gjilan janë gjetur disa çelësa të vendit se ku mbahej arma. Ende nuk dihet se si ka arritur deri në marrjen e këtyre çelësave, por se arma ishte vendosur në një vend të veçantë sipas procedurave standarde”, ka thënë Shillova, në Rubikon të KTV-së.
Tutje ai ka thënë se zyrtarja policore ka punuar për 20 vjet në Polici, dhe problemet psiqike i kanë nisur në katër vitet e fundit.
“Zyrtarja policore nuk ka pasur probleme për 15 vite, e ato kanë nisur në këto 4 vitet e ardhshme. Më pas është adresuar rasti. Ajo ka pas terapi. Në bazë të asaj që kemi bërë ne gjithçka ka shkuar në bazë të procedurave. Gabimi është se rasti ka ndodhur me armë zyrtare, ka mundur ta kryejë edhe në forma tjera, por përgjegjësia e Policisë është kjo. E në këtë aspekt nuk është kryer mirë procedura brenda Policisë”, ka thënë Shillova.