Shirat e rrëmbyeshëm përmbytin Barcelonën, vdes një person

Prishtinë | 17 Sht 2026 | 14:36 | Nga Ekonomia Online

Të paktën një person ka humbur jetën në verilindje të Spanjës, pasi rajoni është përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe përmbytje të menjëhershme, duke shkaktuar kaos në disa zona.

Ekipet e shpëtimit kanë gjetur të enjten trupin e një burri në Olivella, rreth 40 kilometra në perëndim të Barcelonës, pasi vetura e tij është marrë nga rrjedha e ujit, kanë bërë të ditur autoritetet.

Agjencia kombëtare meteorologjike e Spanjës, AEMET, kishte lëshuar të mërkurën paralajmërime për reshje të dendura në rajonet lindore të vendit, përfshirë edhe një alarm të kuq për bregdetin e Barcelonës.

Zjarrfikësit katalanas njoftuan të enjten në X se kishin gjetur “trupin e pajetë të një burri”, duke korrigjuar raportimet e mëparshme se personi i zhdukur ishte grua.

Reshjet e dendura kanë shkaktuar ndërprerje të udhëtimeve në Katalonjë dhe Valencia, me anulime fluturimesh, ndërprerje të trafikut hekurudhor dhe rrugë të mbuluara nga uji.

Të ngjashme