Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka uruar Akademinë e Shkencave të Shqipërisë me rastin e 54-vjetorit të themelimit, duke vlerësuar rolin e saj në ruajtjen e trashëgimisë kombëtare dhe zhvillimin e shkencës, raporton Ekonomia Online.
Në urimin e saj, Shiroka-Pula ka theksuar se Akademia, që nga udhëheqja e profesor Aleks Budës e deri te drejtimi aktual nga Skënder Gjinushi, ka qenë një institucion i rëndësishëm i dijes dhe kërkimit shkencor.
“Gjatë këtyre 54 viteve, Akademia ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat e identitetit intelektual të kombit shqiptar. Në këtë rrugëtim, ajo ka ruajtur me kujdes trashëgiminë kombëtare dhe, në të njëjtën kohë, është angazhuar në sfidat e reja të shkencës, të inovacionit dhe të zhvillimit të qëndrueshëm”, thuhet në urimin e Presidentes.
Ajo ka vlerësuar se roli i këtij institucioni është veçanërisht i rëndësishëm në kohën kur shoqëria shqiptare, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, përballet me ndryshime të thella dhe kërkesa të shtuara për dije e ekspertizë.
“Për ne, shqiptarët e Kosovës, ky institucion ka qenë dhe mbetet një referencë e rëndësishme e dijes dhe e krenarisë kombëtare”, thuhet në urim.
Shiroka-Pula ka shprehur dëshirën që Akademia e Shkencave të Shqipërisë të vazhdojë të jetë një hapësirë e hapur për studiuesit dhe të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit shkencor e kulturor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Në këtë 54-vjetor, uroj që Akademia e Shkencave e Shqipërisë të vazhdojë të jetë një shtëpi e hapur e dijes, vend ku gjeneratat e reja të studiuesve gjejnë frymëzim dhe ku Shqipëria e Kosova gjejnë një zë të fuqishëm e të respektuar në botën e shkencës dhe të kulturës”, ka deklaruar ajo.
Presidentja e Kosovës ka uruar për suksese të mëtejshme në punën shkencore, botime të reja, projekte kërkimore dhe bashkëpunime ndërkombëtare.
“Qoftë ky jubile nxitje për të ecur përpara me më shumë ambicie dhe besim në fuqinë e dijes. Ju uroj suksese të mëtejshme në punën tuaj të përditshme, botime të reja me vlerë, projekte kërkimore që i shërbejnë vendit dhe bashkëpunime ndërkombëtare që e ngrenë emrin e shkencës shqiptare”, thotë urimi i presidentes Justina Shiroka-Pula.