Nga 1 qershori, Policia Federale Austriake, ajo gjermane dhe policia e landit të Bavarisë kanë nisur për herë të parë kontrollet me patrulla treshe në zonën kufitare mes të dy vendeve.
Fokusi është në vendkalimin Austri-Itali-Brenner, aty ku ka pasur dhe probleme më të mëdha me emigrantët.
Ndonëse normalisht në hapësirën Schengen nuk duhet të ketë kontrolle kufitare, mjaft shtete të BE-së i kanë zgjatur masat e verifikimeve në kufi, në kundërshtim me dëshirën e Komisionit Europian.
Kontrollet e përbashkëta, sipas tyre, përforcojnë gjithmonë e më shumë veprimet kundër krimit dhe emigracionit të paligjshëm.
Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë Federale në Munich, Thomas Borowik sqaroi se konsiderohet në mënyrë të veçantë e rëndësishme që të ketë një koordinim të masave në zonat kufitare.
Patrullat do të kontrollojnë intensivisht, sidomos trenat e mallrave. Vitin e kaluar, përmes tyre kaluan në zonën e Mynihut rreth njëmijë refugjatë.
Në zonën Schengen të 26 vendeve europiane kontrollohen zakonisht vetëm kufijtë e jashtëm, por që nga kriza e refugjatëve në vitin 2015, Gjermania dhe vendet e tjera kanë rivendosur kontrollet edhe në kufijtë e tyre të brendshëm.
Kundër dëshirës së Komisionit Evropian, këto kontrolle do të vazhdojnë edhe për 6 muaj të tjerë, nisur nga maji.