Delegatët e LDK-së, të cilët janë të pakënaqur me udhëheqjen aktuale të partisë, sot do të veprojnë.
Gazeta Nacionale ka mësuar se ata sot do t`i dorëzojnë nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku do të kërkohet shkarkimi i Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit.
Gjithashtu gazeta ka mësuar se deri me tani janë siguruar 150 nënshkrime.
Kuvendi i LDK-së ka 355 delegatë, kurse mbledhjen e tij mund të thirren me 118 nënshkrime.
Pas deponimit të këtyre nënshkrime, sipas statutit të LDK-së, kryesia e partisë është e obliguar që ta thërres Kuvendit brenda 60 dite.
Që këto nënshkrime mund të dorëzohen sot, të hënën e ka konfirmuar edhe Kryetari i degës së LDK-së në Rahovec, Burim Krasniqi, i cili tha për Ekonomia Online se dega që ai drejton ka kërkuar zgjedhje në të gjitha strukturat e LDK-së, nga nëndegët deri në nivelin qendror.
“Dega jonë në Rahovec kemi kërkuar që zgjedhjet të mbahen në të gjitha strukturat e LDK-së, degët, nëndegët dhe në nivel qendror për shkak të rezultatit jo të mirë zgjedhor. Dega jonë ka dhënë nënshkrimet (për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së për shkarkimin e kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku)”, tha Krasniqi për EO.
I pyetur nëse nënshkrimet do të dorëzohen të martën, ai tha se një gjë e tillë mund të ndodhë.
“Mund të ndodhë që i dorëzojmë”, tha ai në një përgjigje për EO.
Kryetari i degës së LDK-së në Rahovec: Kemi dhënë nënshkrimet për Kuvend të jashtëzakonshëm, nesër mund të dorëzohen
Pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, shumë zyrtarë të lartë të LDK-së dhe degë të kësaj partie kanë shprehur pakënaqësi me këtë rezultat. Ata kanë kërkuar përgjegjësi nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe shpalljen e zgjedhjeve të brendshme.
Megjithatë, Abdixhiku ka injoruar këto kërkesa.
Ai ka bërë me dije se nuk e ka ndërmend që të dorëhiqet.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, e cila është mbajtur javën e kaluar.
I pyetur për iniciativën e shkarkimit, ai tha se ende nuk është dorëzuar asnjë kërkesë zyrtare.
Sipas tij, zgjedhjet e rregullta për kryetarin janë parashikuar për vitin e ardhshëm, sipas Statutit.
“Ne kemi dalë prej një Kuvendi më 31 janar dhe një parti serioze matet me sa i përmbahet zotimeve të veta”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka thënë se nëse do të ketë deponim të nënshkrimeve, sipas statutit do të thërres mbledhjen e Kuvendit.
“Çfarëdo nënshkrimi që deponohet, unë menjëherë, me Statut, e thërras Kuvendin. Ne s’jemi as të përhershëm e as qëndrojmë me forcë”, është shprehur ai.
Ai u bëri thirrje strukturave të partisë që debatet të zhvillohen brenda organeve të LDK-së.
“Do të doja që LDK të merret sa më pak me çështje që ndajnë LDK-në. Nuk e dua ndarjen e LDK-së”, është shprehur Abdixhiku.