Shkarkimi i një trajneri përplas Gjermaninë me Hungarinë, përmendet nazizmi

Prishtinë | 09 Pri 2021 | 15:15 | Nga Ekonomia Online

Hungaria i është ankuar zyrtarisht Gjermanisë rreth shkarkimit të një trajneri hungarez të portierëve të futbollit pas komenteve të tij rreth birësimit të fëmijëve nga çiftet homoseksuale, imigrimit dhe për atë që ai e cilësoi si mungesë e tolerancës ndaj qëndrimeve konservatore.

Klubi futbollistik i Bundesligës gjermane, Hetha Berlin, njoftoi për shkarkimin e trajnerit Zsolt Petry më 6 prill, duke thënë se komentet e tij për një gazetë hungareze nuk i pasqyrojnë vlerat e diversitetit dhe tolerancës në ekip.

Në një pjesë të intervistës për gazetën lokale, trajneri Petry i kritikoi politikat evropiane të migrimit, e përshkroi Evropën si kontinent i krishterë, ndërsa politikat e migrimit si “manifestim i rënies morale”.

Një ndihmës i kryeministrit hungarez, Viktor Orban, publikisht e kritikoi vendimin e klubit gjerman për shkarkimin e trajnerit, duke e cilësuar atë si shokues dhe duke e krahasuar me regjimin totalitar të Gjermanisë naziste, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

Zsolt Petry, trajneri i shkarkuar nga klubi gjerman

Shefi i stafit të Orbanit, Gergely Gulyas, tha para gazetarëve: “Është së pari Gjermania që duhet të përgjigjet nëse ende e respekton sundimin e ligjit.”

Ministria e Jashtme e Hungarisë thirri për raportim një diplomat gjerman të enjten për t’iu ankuar rreth shkarkimit të trajnerit hungarez.

Në anën tjetër, Ministria e Jashtme e Gjermanisë u kundërpërgjigj duke thënë se mesazhi i palës hungareze “nuk është i kuptueshëm në asnjë mënyrë për ne”.

Të ngjashme