Shkarkohet drejtori i Spitalit të Mitrovicës

Prishtinë | 21 Nën 2018 | 10:52 | Nga Ekonomia Online

Hamzë Berisha është shkarkuar nga pozita e drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, raporton Koha Ditore.

Vendimin për shkarkimin e Berishës e ka marrë Basri Sejdiu, drejtor i Komisionit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK).

Berisha në një deklaratë për gazetën Koha Ditore ka thënë se drejtori i ShSKUK-së e ka telefonuar dhe ia ka konfirmuar vendimin për largim.

“Kam dëgjuar por ende nuk më ka ardhur vendimi. Pasi të shoh vendimin se si e kanë arsyetuar mund të deklarohem”, ka thënë Berisha.

Shkarkimi i Berishës vjen pas raportimit të Kohës Ditore më 10 nëntor se Spitali i Mitrovicës kishte cilësuar si aparatura tavolinat dhe shtretërit dhe ishte planifikuar shpenzimi i dhjetëra e mijëra eurove për “servisimin” e tyre.

Ky institucion për të arsyetuar procesin e tenderimit, inventarin e ka futur në kategorinë e pajisjeve, shkruan sot Koha Ditore.

“Mashtrimi” është konstatuar nga një Komision i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), i krijuar enkas për hetimin e këtij procesi të prokurimit. Për rrjedhojë tenderi që peshonte 80 mijë euro është anuluar.

Gjetjet në raport tregojnë se nga komplet lista e aparateve të përfshira për servisim, më shumë se 25 për qind prej tyre (shtretër, tavolina….) nuk janë fare pajisje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme