Shkarkohet shefi i Agjencisë së Sigurisë Kibernetike në Gjermani, dyshohet për lidhje me shërbimet ruse

Prishtinë | 18 Tet 2022 | 18:06 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të Gjermanisë është shkarkuar pas raportimeve për lidhje të mundshme me inteligjencën ruse.

Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, shkarkoi Arne Schönbohm nga posti i kreut të agjencisë BSI, njoftoi agjencia gjermane e lajmeve dpa.

Schönbohm bashkëthemeloi një grup për sigurinë kibernetike një dekadë më parë që bashkon ekspertë nga institucionet publike dhe sektori privat.

Mediat gjermane kanë raportuar se një nga anëtarët e saj është një kompani e themeluar nga një ish-agjent i inteligjencës ruse dhe se Schönbohm besohej se kishte mbajtur marrëdhënie me grupin, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.

Qeveria gjermane tha më shumë se një javë më parë se po hetonte raportet në mënyrë gjithëpërfshirëse.

“Këto akuza duhet të hetohen me vendosmëri,” tha të hënën e kaluar Konstantin von Notz, kreu i komisionit të mbikëqyrjes parlamentare për agjencitë e inteligjencës gjermane.

Ekziston një shqetësim në rritje në Gjermani se infrastruktura kritike e vendit mund të jetë në shënjestër të Rusisë për shkak të mbështetjes së Berlinit për Ukrainën – diçka për të cilën BSI ka paralajmëruar kohët e fundit.

Akuzat kundër Schönbohm erdhën ndërsa policia gjermane po hetonte një akt “sabotimi” në infrastrukturën hekurudhore të vendit, me disa zyrtarë që drejtuan gishtin nga Rusia pas shpërthimeve të gazsjellësit Nord Stream.

Kabllot e rëndësishme të komunikimit u prenë në dy vende më 8 tetor, duke detyruar shërbimet hekurudhore në veri të ndaleshin për tre orë dhe duke shkaktuar kaos udhëtimi për mijëra pasagjerë.BS

Të ngjashme