Sipas Kodit të Drejtësisë për të Mitur, derisa të miturit i është shqiptuar masë edukative apo burgim për të mitur, aktvendimet eventuale për vepra të tjera penale që janë ngritur para ose pas shqiptimit të masës edukative duhet të përfshihen në një aktvendim të vetëm – unik ndaj të miturit.
Aplikimi i masave të dyfishta bie ndesh me dispozitat e KDM dhe ndikon në uljen e besimit tek të miturit për sistemin e drejtësisë dhe sistemin korrektues duke e parë atë si pengesë e jo ndihmë në risocializimin dhe re-integrimin e tyre. Të miturit të cilët kanë marrë edhe një masë pa përfunduar masa në ekzekutim, kanë tendencë të fillojnë shfaqjen e sjelljeve jo të mira si pasojë e rënies së vullnetit për sjellje të mira derisa janë nën masën apo dënimin aktual. Kjo praktikë u pengon atyre në rikthimin në jetën normale duke ua zgjatur qëndrimin në QKL.
Mbi këtë bazë, KOMF dhe QKRMT duke shfrytëzuar mjetin joformal – intervenimin e palës së tretë në interes të gjykatës (amicus curiae), i është drejtuar Gjykatës Supreme, Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial me kërkesë që në bazë të autoritetit kushtetues dhe ligjor të ndërpritet praktika që ndaj të miturve të shqiptohet masë edukative e re ose dënim i ri me burgim derisa i mituri është në vuajtje të një mase apo dënimi.